Aktualitet

Për vitin 2021, paga në sektorin publik 24% më e lartë se në atë privat në vend!

Paga mesatare mujore në sektorin shtetëror në vitin 2021 arriti në 68,508 lekë. Ky nivel është 24% më i lartë se paga mesatare mujore në sektorin privat, e cila vitin e kaluar ishte 51,858 lekë, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it. Hendeku ndërmjet pagës mesatare në shtet dhe privat është thelluar vitet e fundit. Ky tregues në vitin 2016 ishte 20%, ndërsa në vitin 2021 arriti në mbi 21%.

Edhe në vendet e tjera të Europës ekziston një hendek ndërmjet pagave në sektorin publik e atyre në sektorin privat, por diferenca është më e ulët se në Shqipëri. Në Europë, ky hendek në është mesatarisht 8-10%, por në Shqipëri është tre herë më i lartë. Diferenca e lartë në Shqipëri justifikohet me dy arsye.

Së pari, sektori privat bazohet në sektorë me vlerë të ulët, të tilla si bujqësia, shërbimet ku pagat mujore janë më afër pagës minimale.
Ndërsa sektori publik më së shumti punëson persona me arsim të lartë dhe në shumicën e profesioneve ofron paga mbi pagën minimale.
Së dyti, sektori privat në Shqipëri karakterizohet nga një nivel i lartë informaliteti. Me qëllim shmangien e tatimeve mbi pagën, rregullisht sektori privat deklaron pagesa më të ulëta se ato që jep në realitet.

Pagesat me dy listë-pagesa, njëra me bankë dhe tjera në dorë është realitet për shumë biznese në vendin tonë. Për këtë arsye, Shqipëria renditet një ndër vendet e fundit në Rajon për rendimentin e grumbullimit të taksave mbi pagën dhe sigurimet shoqërore.

Çmimet për rreth 30 artikuj të shportës janë rritur me gati 20% nga janari në mars, sipas referencave të INSTAT-it dhe tregjeve me pakicë, por pagat nuk do të përdoren si mjet për të mbrojtur shtresat në nevojë, as nga qeveria dhe as nga pjesa më e madhe e sektorit privat.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka:

Kostot e lëndëve të para janë rritur në atë masë sa shumë fabrika po hartojnë skenarët e falimentit. Industrialistët thanë se e kanë të pamundur të aplikojnë rritje të pagave në kushtet kur kostot e prodhimit janë rritur dhe transferimi i tyre në çmime nuk po bëhet tërësisht. Një pjesë e bizneseve po punojnë me humbje.

Edhe sektori i bujqësisë nuk do të mund t’i rrisë pagat këtë vit. Sipas të dhënave zyrtare, në bujqësi janë të angazhuar rreth 42% e totalit të të punësuarve. Fermat në zonat prodhuese të Fierit dhe Beratit pohuan se punonjësit po ushtrojnë presion për rritjen e pagesës ditore në 1800-2000 lekë në ditë nga 1500 lekë aktualisht, por rritja është e pamundur pasi shumica e serrave dolën me humbje nga viti i kaluar.
Vetëm bizneset në sektorin e turizmit dhe fasonit kanë lajmëruar rritje të pagave, të shtyrë nga mungesa e fuqisë punëtore, por edhe nga rritja e aktivitetit ekonomik. Monitor.