Aktualitet

Për vitin e ardhshëm, Banka e Shqipërisë parashikon të rrisë blerjet e Euros!

Banka e Shqipërisë pritet të rrisë blerjet në tregun e brendshëm valutor gjatë vitit të ardhshëm. Vlera e blerjeve të euros parashikohet në intervalin mes 160 dhe 220 milion eurove. Kjo shumë përfaqëson një rritje të konsiderueshme në raport me shifrat e pritshme të këtij viti. Sipas objektivit të rishikuar, për këtë vit shuma e blerë në tregun e brendshëm valutor pritet të jetë në intervalin midis 125 dhe 145 milion eurove.

Këto parashikime i referohen vetëm blerjeve të planifikuara për qëllimet e rritjes së rezervës valutore. Në raste të veçanta, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë duke blerë ose shitur valutë për të shmangur çrregullimet në treg. Për vitin 2023, Banka e Shqipërisë ka parashikuar gjithsej 16 ankande të blerjes së euros, që do të zhvillohen mes datës 17 gusht dhe 20 dhjetor. Për vitin e ardhshëm parashikohet një rritje e  intervalit të sipërm të parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit.

Shuma e parashikuar për t’u blerë, fillimisht do të jetë midis pesë dhe 9 milion eurove, ndërsa deri këtë vit blerjet në raundin e parë realizoheshin në intervalin mes 5 dhe 8 milion eurove. Më tej, Banka e Shqipërisë mund të realizojë blerjen edhe në një raund të dytë, zakonisht me kursin mesatar të ofertave të pranuara në raundin e parë.

Për vitin 2023, Banka e Shqipërisë synon të zhvillojë më tej përdorimin e marrëveshjeve forward (për blerje në të ardhmen). Përdorimi i këtyre marrëveshjeve shihet nga Banka e Shqipërisë si një hap që mund t’i nxisë bankat tregtare të ndërmarrin hapa në drejtim të zhvillimit të tregut të parasë.

Nga 16 ankande të parashikuara, gjysma parashikohen me marrëveshje forward dhe gjysma me marrëveshjet klasike spot (me blerje në datën e ankandit). Në dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka përdorur zakonisht marrëveshjet forward me afat njëjavor, ndërsa për vitin 2023 pritet që marrëveshjet forward të kenë afat më të gjatë, njëmujor.

Në fund të muajit tetor, rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 4.96 miliardë eurove, në rritje me 17.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Madhësia e rezervës valutore të Shqipërisë përgjithësisht vlerësohet nga institucionet e specializuara si mjaft e kënaqshme për mbulimin e nevojave të ekonomisë për valutë.

Një nga kriteret kryesore në përcaktimin e vlerës minimale të nevojshme të rezervës valutore është arritja e një vlere të mjaftueshme për të mbuluar të paktën katër muaj importe, ndërsa sipas vlerësimeve të fundit të Bankës së Shqipërisë, aktualisht rezerva valutore e vendit mbulon rreth 7.3 muaj importe, duke qenë dukshëm sipër objektivave të saj minimale.

Megjithë blerjet e konsiderueshme të Bankës së Shqipërisë, që mesatarisht priten të jenë më shumë se 12 milion euro në muaj, kursi i këmbimit të Euros me Lekun ka vijuar tendencën rënëse gjatë vitit 2022. Që nga fillimi i vitit deri në mesin e muajit dhjetor 2022, kursi i këmbimit Euro-Lek ka pësuar një rënie me afërsisht 5%./Monitor