Politikë

Përballja e parë e Bashës me kritikët për 25 prillin, të dielën mblidhet Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i PD

Kreu i PD, Lulzim Basha do të mbledhë këtë të diel Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të partisë. Ky takim vjen pas kontestimit të rezultatit të zgjedhjeve në 9 qarqe.

Mbledhja me anëtarët e Kryesisë do të zhvillohet në orën 17:00, në selinë blu, ndërsa dy orë më pas kryedemokrati Basha do të takojë edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar.

 

Të dhënat janë postuar në rrjete sociale nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike. Gazment Bardhi bën me dije se në rend të ditës do të jenë diskutimet dhe vendimet që do të merren pas situatës së krijuar me atë që PD e konsideron “masakër elektorale”.

Postimi i plotë!

Ditën e dielë, datë 16 Maj 2021, ora 17:00, do të zhvillohet mbledhje e Kryesisë së Partisë, me rend ditë: “Diskutime dhe vendimmarrje sipas Statutit për proceset politike pas situatës së krijuar me masakrën elektorale të zgjedhjeve të 25 Prillit”.

Më pas, në orën 19:00, me të njëjtin rend dite, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar.

Mbledhjet do të zhvillohet në selinë e Partisë, në sallën e Grupit Parlamentar, Kati i II.

Ju lutem merrni masat për pjesëmarrjen tuaj!”, shkruhet në mesazhin e Bardhit.

Ndërkohë, në këto takime do të jetë edhe përballja e parë e Bashës me kritikët e hapur të tij, ish-presidentin Bujar Nishani dhe anëtarin e Kryesisë, Fatbardh Kadillin. Ky i fundit jo vetëm që i ka kërkuar dorëheqjen Bashës, por po ashtu ka shpallur edhe kandidaturën për postin e kryetarit të PD.

Kujtojmë se që pas humbjes së zgjedhjeve nga ana e Partisë Demokratike, drejtues të rëndësishëm të strukturave të kësaj force politike, kanë kërkuar me ngulm largimin e Bashës nga drejtimi i partisë. I pari që e kërkoi dorëheqjen e Bashës ishte Kadilli, më pas ish presidenti Bujar Nishani dhe Arben Ristani.