Tech

Përditësimi i ri i sistemit në Android fsheh një virus?!

Në qarkullim është një lloj virusi i ri, i maskuar si përditësim i sistemit Android, që sapo hyn në smartphone mund të marrë kontrollin e plotë të pajisjes dhe të vjedhë të dhënat e saj. Virusi u identifikua nga studiuesit e sigurisë së Zimperium zLabs në një aplikacion të quajtur “System Update”, që nuk është i pranishëm në Google Play Store, por mund të shkarkohet nga faqet e palëve të treta.

Ky virus kërkon veprimin e përdoruesit për t’u instaluar, ndaj këshillohet të mos instaloni skedarë të shkarkuar nga burime të pabesueshme. Sipas ekspertëve, ai vepron si një program i qasjes në distancë (RAT), për të kryer një seri veprimesh dhe komandash, përfshirë dërgimin e informacionit në një server të menaxhuar nga zhvilluesit.

Në hetimin e tij, Zimperium testoi virusin, duke konfirmuar se ai mund të vjedhë mesazhe, kontakte, detaje të pajisjes, faqeshënuesit e shfletuesit dhe historikun e kërkimit. Ai regjistron gjithashtu thirrjet, tingujt e mjedisit nga mikrofoni dhe bën fotografi duke përdorur kamerat e përparme dhe të pasme dhe të gjitha këto pa dijeninë e përdoruesit, pasi e vetmja ikonë e treguar është ajo me logon e Google dhe fjalët “kërkim për përditësim”.

Ndërsa është aktiv, virusi mund të gjurmojë edhe vendndodhjen e viktimës, duke zvogëluar sasinë e të dhënave të rrjetit që konsumon. Drejtori i Përgjithshëm i Zimperium, Shridhar Mittal tha se kërcënimi ka të ngjarë të jetë pjesë e një sulmi të synuar.