Bota

Përfitoi mbi 4 miliard dollarë duke mashtruar, “Mbretëresha e kriptove” në listën e 10 njerëzve më të kërkuar nga FBI!

Ruja Ignatova, e njohur si “mbretëresha e kriptove” është vendosur në listën e 10 njerëzve më të kërkuar të FBI-së. Bullgarja, që besohet të jetë rreth të 40-ave, kërkohet për rolin e saj në drejtimin e një kompanie të mashtrimit me kriptomonedhën e njohur si OneCoin, sipas BBC. Hetuesit federalë akuzojnë gruan e arratisur për shfrytëzimin e skemës të mashtrimit teksa ka përfituar më shumë se 4 miliardë dollarë. Ajo është zhdukur që nga viti 2017, kur zyrtarët amerikanë nënshkruan një urdhër arresti dhe hetuesit filluan ta kërkonin.

Në vitin 2014, OneCoin filloi t’u ofronte blerësve bonuse nëse ata ia sygjeronin monedhën më shumë njerëzve. Por agjentët e FBI-së thanë se OneCoin ishte i pavlefshëm dhe nuk u mbrojt kurrë nga teknologjia blockchain e përdorur nga kriptovalutat e tjera. Sipas pretendimeve nga prokurorët federalë, në thelb ishte një skemë piramidale e maskuar si një kriptomonedhë. Damian Williams, prokurori më i lartë federal i Manhattan tha se:

Ajo e përcaktoi skemën e saj në mënyrë perfekte, duke përfituar nga spekulimet e mëdha të ditëve të para të kriptomonedhës.

Ndryshe, FBI shton të arratisurit në listën e saj më të kërkuar kur beson se publiku i gjerë mund të jetë në gjendje të ndihmojë në gjurmimin e tyre. Autoritetet ofrojnë shpërblim prej 100 mijë dollarësh për çdo informacion që do të dërgonte në arrestimin e Ignatovas, e cila po përballet me tetë akuza. Ajo është e vetmja grua në listën e 10 më të kërkuarve të FBI-së.

Ka dhjetëra raste të njerëzve që bëjnë pasuri të mëdha duke investuar në kriptovaluta dhe tani i humbasin ato. Shtatë investitorët më të fortë të kriptove në botë humbën, për të qenë të saktë, 144 miliardë dollarë në vetëm pak javë. Por bie në sy ai i “bosit” të shkëmbimit më të madh të kriptove në botë, Changpeng Zhao. Biznesmeni 44-vjeçar kinezo-kanadez, i njohur ndërkombëtarisht si CZ, tashmë është zyrtarisht njeriu që ka humbur më shumë para në historinë njerëzore.