Aktualitet

Përfundimisht, sot hapet Bajpasi i Vlorës!

Përfundimisht, hapet sot Bajpasi i Vlorës, aksi i ri panoramik që lehtëson qarkullimin e automjeteve gjatë pikut të sezonit. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një interpelance në Kuvend, në seancë plenare. Në këtë interpelancë, Balluku u thërrit nga deputeti demokrat, Xhelal Mziu për Rrugën e Arbrit, që sipas Mziut, “ende nuk është e plotë”.

Kjo rrugë mbetet ëndërr për dibranët e bulqizakët, sepse as gjysma e saj s’ka mbaruar dhe s’po flasim për efektin financiar që është i jashtëzakonshëm krahasuar me atë që do merret, nëse rruga do të mbarojë ndonjëherë.

Ministrja Balluku u shpreh:

U tha se kjo rrugë është shumë e rëndësishme dhe nuk e kuptoj pse kërkuesi i interpelancës nuk i ka shtyrë bashkëpartiakët e tij ta realizonin. Kjo rrugë u bë, pasi qeveria Rama kreu studimet mbi ato studime të bëra nga viti 2007 deri më 2013-ën.

Të vish e të thuash se nuk është bërë asgjë dhe zotëria është një nga ata flamurtarët e rrugëve të lëna rrugëve, është një abuzim shumë i madh. Sot ata vijnë për një orë në Tiranë, kur u duhej 6 orë për të shkuar në Peshkopi. Janë krijuar vende pune se bujqësia ka lulëzuar, por edhe për shkak të infrastrukturës sepse mund të sjellin më shpejt produktet e tyre në tregun kryeqyetas apo gjetkë.

Ndërkohë, Bajpasi i Vlorës që hapet sot, lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën kombëtare bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor e nxitjen e agroturizmit.

Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me ndikimin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Bajpasi nis nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Rruga anashkalon Kaninën në pjesën perëndimore mbi Vlorë, në një nivel rreth 300 metra nën kështjellë, nga ku ofron pamje spektakolare përgjatë gjirit të Vlorës.

Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet. Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, synohet që e gjithë zona të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit europian.