Aktualitet

Përfundojnë gërmimet për tunelin e Llogarasë, Balluku: Hapet më 1 qershor 2024!

Gërmimet për hapjen e tunelit të Llogarasë kanë përfunduar. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku panë nga afër ecurinë e punimeve në këtë tunel.

“Shumë respekte për punën e shkëlqyer edhe me të gjitha standardet dhe shpejtësinë”, tha kryeministri Rama.

Nga 1 qershori i vitit të ardhshëm pritet që tuneli i Llogarasë të jetë i kalueshëm nga qytetarët.

“Ne duhet të dorëzojmë veprën në 10 gusht 2024-ës. Nuk duam të zotohemi, pasi siç e kemi thënë gjithmonë që veprat infrastrukturore kanë edhe të papritura, megjithatë synimi ynë është që sezonin e 2024-ës, pra 1 qershori 2024-ës e gjithë vepra, pra 7.4 km, pasi 6 km është tuneli dhe 1.4 janë rrugët ndihmës dhe lidhëse, urat që lidhen me pjesën e Palasës, të jenë operative për të gjithë qytetarët”, u shpreh ministrja Balluku.

Punimet për tunelin e Llogarasë kanë nisur në nëntor të 2021-it dhe kapin vlerën e rreth 140 milionë euro duke e kthyer këtë investim në një vepër strategjike për turizmin në rivierën e jugut.