Aktualitet Politikë

Përfundon mbledhja e kryesisë së PS, Rama: Të hapur për emra!

Kryeministri Edi Rama është ndalur dhe ka folur për mediat lidhur me temat që u diskutuan në mbledhjen e kryesisë së PS-së.

“Sot kemi diskutuar për procesin e hyrjes së zgjedhjeve në parti për kryetarët e të gjitha njësive dhe në Asamblenë Kombëtare do miratojmë dhe një sërë dokumentesh që sot janë miratuar në Kryesi, që burojnë nga detyrimet e Kongresit në funksion të të gjithë kuadrit.

Kanë filluar bisedimet zyrtare me palët e tjera të Shqipërisë në përpjekje për të bërë një kandidaturë që kanë një konsensus. Nuk e di, nëse ka vullnet shanset janë shumë të mira, ne jemi të gatshëm që të jemi sa më të hapur, në funksion të zgjedhjes së një presidenti që të garantojë mbylljen me sukses të një kapitulli çmendurie në krye të shtetit”, tha Rama.

Nesër mbahet Konferenca e Donatorëve në Varshavë, lidhur me ndihmat që do t’i ofrohen Ukrainës, teksa kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se edhe Shqipëria do të ndihmojë me një shifër monetare, por pa specifikuar shifrën.

“Do jetë ndihmë monetare për Ukrainën”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur raportit të organizatës ‘Gazetarët pa Kufij’ që e radhit Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike për lirinë e shtypit. Rama tha se i beson vetëm raportit të BE ndërsa shtoi se nuk i duket shqetësuese situata e medias në Shqipëri pasi vitin e kaluar nuk është kërcënuar asnjë gazetar.

“Në asnjë vend të rajonit, mediat nuk e kanë lirinë që e kanë në Shqipëri. Për këtë nuk ka raport. Nuk ka top që e luan këtë pavarësisht se çfarë thonë raportet. Nëse dëshironi, mund të nis me raportin e BE ku një grup i tërë njerëzish punon për raportin bazuar në fakte e argumenta, jo mbi perceptime e axhenda.

Me të gjithë respektin, por në këto vite leximi kam mësuar të jem selektiv se një pjesë e këtyre raporteve nuk janë të besueshëm. Nuk shoh asnjë shqetësim për situatën e medias në Shqipëri, përveç se çdo ditë shtohen viktimat e abuzimeve, shpifjeve, fabrikimeve, bullizmit ndërsa vitin e kaluar nuk ka pasur asnjë gjyq ndaj asnjë gazetari, nuk ka pasur asnjë gazetar të kërcënuar. Kush bën raportet ka të dhëna të padeklaruara, do i lutesha të vinte në dispozicion këto të dhëna”, tha Rama.

Ndërsa për reportazhet për krimin e organizuar, u shpreh se nuk i beson asgjëje që nuk ka fakte.

“Kam parë shumë nga këto reportazhe, por faktet kanë rëndësi për mua dhe këto i keni në të gjitha raportet e progreset të BE dhe nga ecuria e luftës me krimin, drogën. Liria e medias dhe reportazhet e lira janë një çështje që ka problematikën e vet kudo, edhe në Gjermani”, tha Rama.