Lajmet e fundit Rajoni

Përfundon takimi dypalësh, Kurti: Vuçiç nuk pranoi marrëveshjen e paqes!

Përfundon takimi Kurti-Vuçiç i ndërmjetësuar nga BE në Bruksel në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Pas takimit që zgjati rreth 40 minuta Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se atij iu refuzua propozimi për një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë paqeje mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu Kurti tha se propozimi i tij në çështjen e zotimit për të pagjeturit u refuzua nga presidenti serb.

“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u refuzua. U refuzua ende pa u lexuar dhe kjo për mua tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje”, tha Kurti.

“Insistuam aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit, të futet edhe fjalja “ballafaqimi me të kaluarën”. Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga Josep Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti.

Ndërkaq Aleksandër Vuçiç, e konsideroi takimin si jo pozitiv ndërsa theksoi se tregoi se Serbia u pajtua me disa propozime nga ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, ndërsa tha se “shqiptarët nuk pranuan”. Vuçiç u shpreh se është  i shqetësuar, ndersa tha se Kurti është kthyer në shekullin e 19-të duke folur edhe për prejardhjen e toponimeve.

“Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur. Ne morëm propozime nga BE-ja që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë. Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që e propozoi BE-ja”, tha Vuçiç.

“Aty ishin tre pika. Të intensifikohen përpjekjet e përbashkëta në identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga situatat e mëtejshme që mund t’i rrisin tensionet në terren dhe që negociatorët të takohen rregullisht”, vazhdoi presidenti serb.

Në një zhvillim tjetër, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan në një konferencë për shtyp para vizitës në Republikën Turke të Qipros së Veriut, u shpreh se duhet të punohet për të rritur numrin e shteteve që njohin Kosovën. Erdogan tha se kete çështje do ta diskutojë në takimin e tij me Presidentin amerikan, Joe Biden në Asamblenë e Përgjithshme të OKB këtë vit.