Rajoni

Përfundon takimi Kurti-Vuçiç, asnjë dakordësi!

Në Bruksel përfunduan bisedimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ky ishte i pari takim mes tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian ndërsa raundi i ri i bisedimeve pritet të zhvillohet në korrik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri të ditur se në tryezë prezantoi ide të reja.

Mes tyre, nënshkrimin e marrëveshjes së paqes, që Kosova dhe Serbia të zotohen të mos sulmojnë njëra-tjetrën. Në këtë mënyrë mund t’i kontribuojnë paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë.

Kurti shtoi se në takim ngriti edhe çështjen e personave të zhdukur por vuri në dukje se “nga pala serbe nuk pati gatishmëri”.

Pas takimit, Vuçiç tha se me Kurtin nuk ranë dakord.

Ata erdhën që të merren vesh për asgjë, absolutisht për asgjë!

Takimin e ndërmjetësuan Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell e Përfaqësuesi i Unionit për Dialogun, Mirosllav Lajçak. Para bisedimeve, Borrell deklaroi se “është i vetëdijshëm që procesi i dialogut mes Kosovës e Serbisë nuk do të jetë i lehtë”.

Angazhimi i palëve është i domosdoshëm për popujt e të dy vendeve. Shpreh kënaqësinë që takimi po zhvillohet në të njëjtën kohë me bisedimet e presidentit amerikan Biden me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian. Kemi një moment të ri dhe na duhet ta shfrytëzojmë, kjo mundësi vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi shtrojnë rrugën për të ardhmen europiane për të dyja palët.

Më tej vuri në dukje se presin përparim të shpejtë, për të lënë pas të kaluarën dhe arritur marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se “takimi Kurti-Vuçiç nuk ishte i lehtë” por vlerësoi pozitivisht faktin që u zhvillua e do të vijojë para fundit të korrikut.

Të dy liderët bënë deklarata të sinqerta rreth asaj se çfarë duan nga dialogu. Për Bashkimin Europian është e rëndësishme që konfirmuan se nuk ka rrugë tjetër përveç normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut.