Bota

Përhapja e Omicron, Franca ndalon udhëtimet jo-thelbësore me Britaninë!

Franca ndalon udhëtimet jo-thelbësore nga dhe për në Britaninë e Madhe, në kuadër të masave anti-COVID. Autoritetet franceze do të imponojnë një mori kushtesh për udhëtime dhe pritet të kërkojnë izolim prej të paktën 48 orësh, për të gjithë ata që vijnë nga Britania e Madhe në Francë.

“Masat e reja do të hyjnë në fuqi të dielën, pas mesnate”, – deklaroi kryeministri francez, Jean Catex.

Nesër, qeveria franceze do të mbajë një takim të posaçëm të sigurisë për shkak të pandemisë e pritet të adresojë presionin në rritje ndaj spitaleve, nisur nga rritja e numrit të të infektuarve, javët e fundit. Delta, mbetet varianti dominues i koronavirusit në Francë, ndonëse Omicron po përhapet me shpejtësi në Britani, çka ngriti shqetësime edhe në Francë.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë franceze, Gabriel Attal “udhëtimet për punë apo turistike në Francë do të kufizohen, ndonëse qytetarët francezë do të mund të udhëtojnë”.
Masat e reja në Francë do të zbatohen për persona të vaksinuar dhe të pavaksinuar. Britania e Madhe regjistroi dje numrin më të lartë të infektimeve me COVID-19, ndërsa ka paralajmërime që situata mund të përkeqësohet.

Ndërkaq, Sllovenia shpreson në një koordinim në Bashkimin Europian në përpjekjet për të kufizuar udhëtimet para përhapjes së variantit Omicron të COVID-it. Izraeli mbyll kufijtë për turistët deri më 29 dhjetor, për të frenuar përhapjen e koronavirusit