Bota

Përhapnin panik për tërmetet, 4 në pranga në Turqi!

Katër persona u arrestuan në Turqi pasi zyrtarët turq zbuluan llogari në rrjetet sociale ku kishin shpërndarë “postime provokuese që synonin të nxisnin frikë dhe panik. Autoritetet shtuan se kanë nisur një hetim të gjerë lidhur me llogaritë në rrjetet sociale, por nuk treguan se çfarë përmbajtje kanë këto postime.

Rrjetet sociale në Turqi janë mbushur me postime të njerëzve që ankohen se ka mungesë të përpjekjeve për kërkim-shpëtim në zonat e tyre, veçanërisht në Hataj. Policia turke deklaroi:

Adresa dhe informacionet e lokacionit për qytetarët që kërkojnë ndihmë konstatohen menjëherë dhe bëhet koordinimi.

Në vitet e fundit, autoritetet turke nuk kanë lejuar postimet në rrjetet sociale, sidomos ato që i kanë konsideruar se mbështesin “terrorin”. Por, një qëndrim i tillë ka çuar në akuza se liria e shprehjes është kufizuar.

Pas tërmetit, presidenti Erdogan shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Turqi, për tre muaj, në dhjetë qytetet e prekura, mes tyre Gaziantep, Adana e Dijarbakër. Shpallja e saj vjen në kohën kur në Turqi e Siri po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme.

Deri tani, janë mbi 5 mijë viktima, shumica në Turqi ku u rrëzuan rreth 5 mijë e 800 objekte e numërohen mbi 20 mijë të lënduar. Po sot, Erdogan bëri të ditur se për momentin, 70 shtete kanë ofruar ndihmë për të kërkuar të mbijetuar. Shteti turk planifikon të hapë hotelet në zonën e Antalias për të strehuar njerëzit e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

Më herët gjatë ditës, qeveria turke tha se mbi 13 milion persona u prekën nga tërmetet e fuqishëm në Turqi ku disa nga rrugët ende nuk janë të aksesueshme dhe ekipet po punojnë që të hapen. Ka rajone që mbetën pa ujë. UNICEF shpreh frikën se nga tërmetet në Turqi dhe Siri mund të jenë vrarë mijëra fëmijë.