Aktualitet Politikë

Përjashtimi i 4 deputetëve nga Alibeaj, Berisha flet nga selia e PD: Zbatuesi mjeran i urdhrave të Edi Ramës.

Kreu i PD-së Sali Berisha ka folur nga selia e PD për vendimin e Alibeajt për përjashtimin e 4 deputetëve të PD nga grupi parlamentar.

Berisha e cilësoi Alibeajn zbatues mjeran të urdhrave të Edi Ramës dhe i keqpërdorur prej tij.

Ai u ndal më tej te rast i vjedhjes së ish-zyrtares së kryeministrisë Alda Klosi. Berisha theksoi se ka një shpërthim të këtij llumi në mënyrë më të paimagjinueshme dhe akuzoi Ramën se donte të fshihte emrin e saj.

Sa i përket emrit të Ervin Salianjit si i propozuar për kreun e grupit, Berisha tha se do pranojë vullnetin e deputetëve të PD.

Pjesë nga takimi: 

Z. Berisha a janë mbledhur të gjitha firmat për shkarkimin e z. Alibeaj nga Kryetar i Grupit?

Berisha: Nuk kam një bilanc që t’ju them saktë se ku janë, sepse jam marrë me probleme krejt të tjera sot.

Si e komentoni largimin e 4 deputetëve nga Grupi parlamentar?

Berisha: Zbatoi si mjeran një urdhër të Edi Ramës. I keqpërdorur në shkallën më ekstreme nga Edi Rama për arsyet që i di vetë ai. Zbatoi një urdhër të Edi Ramës duke shkelmuar edhe më shumë mbi dinjitetin e tij.

Z. Berisha cila do të jetë e ardhmja e Grupit Parlamentar i PD, tani edhe me lëvizjet e fundit?

Berisha: E ardhmja e Grupit Parlamentar, do të jetë një grup kompativ, një grup i cili do të mbrojë me të gjithë potencialin e vetë interesat e qytetarëve. Do të bëjë gjithçka për të shumëfishuar kontrollet çka është detyra kryesore e opozitës. Ju e shihni se kjo qeveri nuk ka se ku ta kapësh më parë. Rasti i Alda Klosit mund të jetë secila nga ministret, secili nga ministrat. Vetë Edi Rama. Vjen zonja me 40m2 apartament dhe bëhet me 7 apartamente, fillon ndërtimin, lumturon edhe të tjerë përreth saj. Nuk ndodh kund. Ka bjë shpërthim të këtij llumi në mënyrën më të paimagjinueshme, më të pakonceptueshme sepse kurrë një qeveri nuk mund t’i lejojë vetes abuzime në këtë shkallë. E them edhe një herë, ajo që ishte po kaq përpjekje e Edi Ramës për ta fshehur emrin e Alda Klosit. Jau them. Emri i Alda Klosit më është dërguar nga qytetari digjital sapo doli skandali dhe e bëra publike sepse nuk po e bënin publik emrin e zyrtares, përkundrazi po përpiqeshin të përdornin të njëjtën skemë që kanë përdorur me Damian Gjiknurin, Spiropalin, Ilir Beqen e me rradhë. Këta kudo që t’i prekësh para të vjedhura nxjerrin.

A do e pranonit ju ose do e jepnit pëlqimin tuaj nëse deputetët e PD do të mblidhnin firmat për z. Salianji si Kryetar i Grupit Parlamentar.

Berisha: Z. Salianji për definicion është n/kryetar grupi, kështu që unë do të pranoj pa diskutim vullnetin e deputetëve të Partisë Demokratike. U ndala në detyrat e mëdha që kanë. Ju e morët vesh skandalin e fundit të Erjon Veliajt që hapte tendera për të fituar paratë vetë. Kjo nuk mund të imagjinohet. Hap tenderin për të marrë vetë paratë. Mos kujtoni se ky është rast i izoluar. Do mësoni shumë në të ardhmen për këtë person që nuk ka të ngopur në vjedhjen e taksave të qytetarëve shqiptarë. Ai ishte vetëm një episod unik. Ju garantoj se ajo Bashki noton në episode të tilla. Detyrat e opozitës janë shumë të mëdha sot, siç është qeveria është bashkia. Është një pushtet i kalbur, një pushtet që qëndron i tëri mbi vjedhjen, gënjeshtrën, mashtrimin. Për të mos thënë atë të famshmen Erisa Ferron, drejtoresha e AKSH-it, kush e di sa e ka paguar. Ajo s’ka të bëjë fare me informatikën. Është një njeri që ka qenë më shumë pa punë, ka shitur thonë rroba apo gjëra të tilla dhe na bëhet drejtoreshë tek AKSH-i e cila ka 253 afera korruptive me ligj. Ka bërë tendera sekrete. Është një vit që këta do të marrin përgjigjen përfundimtare.