Aktualitet Live From Tirana

Përkeqësimi i lirisë së shtypit në Shqipëri, Thimi Samarxhiu na flet më shumë rreth kësaj në TAR!

Shqipëria ka rënë në nivelin më të ulët historik në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Gazetarëve pa Kufij, duke u renditur në vendin e 103 nga 180 në 2022, duke zbritur me 20 vende në vetëm një vit. Shqipëria u rendit në vendin e 83 vitin e kaluar, një vend më lart nga 84 në 2019. Megjithatë, viti 2021 duket se ka marrë një kthesë të rëndësishme për më të keqen pasi rezultati i tij ra nga 69.41 nga 100 në 56.41. 

Për të folur më shumë rreth kësaj ishte i ftuar në emisionin “Live from Tirana” gazetari Thimi Samarxhiu. Në çfarë situatë gjendet shtypi sot?

Shtypi i shkruar është dashuria ime e parë. Është për të ardhur keq që sot po zhduket dhe po shndërrohet në portale që në pjesën më të madhe bëjnë thjesht lajme për zhurmë. Ka humbur misioni i gazetarit. E gjitha në fund të ditës është marketing, biznes. Ne vet gazetarët biem në autocensurë. Është më e madhe sesa vet censura apo direktiva që vijnë nga drejtuesit. Është edhe presioni politik, jo i drejtpërdrejtë mbi gazetarët, që iu thuhet të mos e bëjnë. Më vjen ndot të shoh atë që ndodhi pak më parë në Korçë, ku një gjyshe kishte humbur nipin apo mbesën dhe gazetarët i kërkonin llogari që pse ka ndodhur. Nuk kemi parë gazetarë t’i shkojnë mbrapa një politikani e t’i kërkojnë llogari. Për sa kohë je gazetar duhet t’i ndash disa gjëra. Liria e informacionit është ajo që ti si gazetar i kërkon të dhëna një institucioni shtetëror. Me anë të një shkrese ke të drejtën ta kërkosh. Kjo për fatin e keq nuk respektohet nga institucionet shtetërore. Perfekten nuk do ta arrijmë për disa vite, jemi vite dritë larg Amerikës. Mos të bëjmë sikur çdo gjë është përfekte këtu dhe ngeli çdo gjë tek media. Duhet ta kërkojmë tek vetja, të ngrejmë zërin. Mund të bëjmë gjithçka por nuk ndodh me një të shtypur butonit. 

Në çfarë baze kryhen këto raporte?

Reporterët pa kufij është një organizatë e njohur në të gjithë botën. Mbron gazetarët në çdo cep por problemi qëndron tek metodologjia e pyetësorit i cili plotësohet online nga gazetarët. Jemi keq në renditje por kur shoh që poshtë nesh është Greqia, vendi ku është krijuar demokracia më bën të ndjehem më mirë.(qesh) Është alarmante autocencusra, ndikimi i politikës dhe fakti që ka shumë organizata kriminale që kërcënojnë gazetarët. Politika do të vijojë të ketë tendencën të ketë nën kontroll median, është normale dhe nuk e shmangim dot. Shqetësuese është krimi që ndikon media, krimi që ka media dhe krimi që kërcënon gazetarët. Për sa kohë gazetarët do të thojnë të vërtetën do të ketë njerëz që do të duan t’jua mbyllin gojën.