Aktualitet

Përkeqësimi i motit, probleme në disa zona të vendit!

Moti i keq me reshje të dendura shiu dhe stuhi ere në vend, po shoqërohet me probleme në disa zona. Në Bulqizë, qytetarët boshatisën rrugët, ndërsa tregtarët u detyruan të mbyllin bizneset. Në një situatë të tillë, edhe drejtuesit e automjeteve hasin vështirësi në qarkullim.

Ndërkohë, në Shëngjin të Lezhës, pushuesit u kthyen drejt hoteleve. Të tjerë u larguan nga zona ku zgjodhën të pushonin, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike. Gjithashtu, shirat intensivë nxorën ujërat e zeza përgjatë rrugës, nga qendra e Shëngjinit në drejtim të Kunes. Kjo situatë ka qenë mjaft problematike për pushuesit  e për bizneset atje.

Si pasojë e erës së fortë, në aksin Elbasan-Librazhd, pranë fshatit Xibrakë u rrëzua një pemë, duke bllokuar për gjysmë ore, njërën korsi të rrugës.

Një ekip i Top Channel udhëtoi sot drejt ishullit të Sazanit, pranë vatrave të zjarrit që prej katër ditësh dogjën dhjetëra hektarë bimësi.
Korrespondenti Mikel Marsi tregoi dëmet e shkaktuara nga flakët, ndonëse ende nuk ka një bilanc për pasojat e zjarrit në florën dhe faunën e ishullit. Po ashtu u dogjën disa objekte të vjetra, që gjendeshin pranë vatrave. Pas raportimit, në kthim, ekipi i xhirimit u ndesh me dallgët e forta, deri në pesë ballë, si pasojë e motit të keq që nuk kurseu as Vlorën. Për këtë arsye ndalën udhëtimin me gomone, duke qëndruar në Karaburun.

Alternime vranësirash të shpeshta e kthjellimesh karakterizojnë kushtet e motit në vend edhe për orët në vijim. Në mënyrë të vazhdueshme ka shira të përkohëshëm në të gjithë territorin shqiptar. Sipas shërbimit MeteoAlb, temperaturat variojnë nga 12 në 31 gradë celcius.