Bota

Përmbyset kamioni me emigrantë në Meksikë, 54 viktima!

Aksident në jug të Meksikës, të paktën 54 persona gjetën vdekjen e dhjetëra të tjerë u lënduan, kur kamioni ku udhëtonin doli nga rruga dhe u përmbys në Chiapas, pranë Guatemalës. 49 vetë humbën menjëherë jetën e 5 të tjerë ndërruan jetë në spital, duke mos i mbijetuar dëmtimeve të shumta nga ky aksident, më i rëndi i këtij lloji në Meksikë.

105 vetë u plagosën: 83 burra e 22 gra, tre prej tyre në gjendje më kritike. Raportohet se ata ishin emigrantë, pjesa dërrmuese nga Hondurasi e Guatemala.
Policia meksikane njofton se drejtuesi i mjetit humbi kontrollin për shkak të shpejtësisë tek normave të lejuara e më tej u përplas me një urë për këmbësorët, në Tuxla Guiterrez. Shoferi nuk qëndroi në vendngjarje, por arriti të largohej dhe u shpall në kërkim.

Përmes territorit meksikan, mijëra persona nga vendet e Amerikës Qendrore synojnë kalimin në Amerikë, për t’i shpëtuar varfërisë dhe dhunës në shtetet nga vijnë. Ata paguajnë trafikantë të qenieve njerëzore, të cilët i mbushin kamionët me klandestinë.

Presidenti i Meksikës, Andrés Manuel López Obrador, deklaroi se kjo është një ngjarje shumë e dhimbshme e shprehu keqardhje të thellë.

Kufiri SHBA-Meksikë është një prej më të rrezikshmëve, sipas vlerësimeve të Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin. Prej fillimit të vitit, të paktën 650 persona kanë vdekur, në përpjekje për të kaluar kufirin, shifra më e lartë e viktimave e regjistruar ndonjëherë. Fatalitete shënohen edhe gjatë rrugëtimit të emigrantëve, por mungojnë statistikat, pasi dokumentimi i rasteve është shumë i vështirë.