Rajoni

Përmbyset varka, mbi 50 emigrantë të zhdukur në brigjet greke!

Autoritetet greke njoftojnë se po zhvillojnë një operacion kërkim-shpëtimi në det, pasi një varkë me dhjetëra emigrantë u fundos gjatë natës. Në një deklaratë të Rojes Bregdetare për agjencinë e lajmeve AFP, rreth 50 persona janë shpallur të zhdukur pasi mjeti lundrues me klandestinë u mbyt pranë ishullit grek të Karpathosit në Detin Egje.

29 persona, të gjithë burra, u shpëtuan në det, 61 kilometra në juglindje të Karpathosit, një ishull juglindor midis Rodosit e Kretës.

Tashmë, autoritetet greke janë vënë në kërkim të të zhdukurve pas mbytjes së anijes, që një natë më parë u nis nga Turqia, për në Greqinë fqinje. Dy anije patrullimi të Rojes Bregdetare, një tjetër e marinës greke, një helikopter i forcave ajrore dhe të paktën tre anije që lundronin aty pranë po marrin pjesë në përpjekjet intensive të kërkim-shpëtimit. Rruga më e zakonshme detare për azilkërkuesit nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika ka qenë e mbetet nga Turqia për në ishujt e afërt grekë.

Por, me autoritetet greke që po shtojnë patrullimet në Egje dhe me lajmet se Greqia po i dëbon emigrantët, pa i lejuar të aplikojnë për azil, tashmë shumë prej tyre janë duke u larguar nga ishujt grekë e po përpiqen të marrin rrugën më të gjatë e gjithashtu më të rrezikshme, direkt për në Itali, që siç dihet, ashtu si Greqia është vend anëtar i Bashkimit Europian.

Pak ditë më parë, organizatat e shpëtimit si “SOS Mediterranee”, “Mjekët pa kufij” (MSF) dhe “Sea-Watch” bënë thirrje për më shumë përpjekje europiane të kërkimit dhe shpëtimit detar në Mesdheun Qendror, për të parandaluar që më shumë emigrantë të vdesin këtë verë, ndërsa përpiqen të arrijnë brigjet europiane.

Shkëputja e kapaciteteve detare europiane nga kërkim-shpëtimi, si dhe vonesat në caktimin e një vendi sigurie për zbarkim kanë dëmtuar integritetin e kapacitetin e sistemit dhe për rrjedhojë aftësinë për të shpëtuar jetë. Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, 907 emigrantë janë raportuar të vdekur ose të zhdukur në Mesdhe vetëm këtë vit.