Bota

Përmbytje katastrofike në Brazil, deri më tani dhjetëra viktima dhe të zhdukur!

Të paktën 36 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Sao Paulo të Brazilit.

Dhjetëra njerëz janë ende të zhdukur dhe ndërsa numri i të vdekurve pritet të rritet me kalimin e orëve.

Punonjësit e shpëtimit shpresojnë të nxjerrin të gjallë nga balta, disa prej të bllokuarve në shtëpitë e përmbytura.

Pamjet e shpërndara në rrjete sociale tregonin pasojat katastrofike me lagje nën ujë, autostrada të përmbytura dhe mbeturina të përhapura gjithandej.

Si pasojë e situatës së krijuar qindra persona janë zhvendosur nga banesat e tyre, ndërsa ekipet e emergjencës janë në luftë me kohën.

Në një postim në Twitter Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva, ai dërgoi ngushëllimet e tij për viktimat, ndërsa deri më tani një fond prej 1.5 milion dollarë do të jetë në dispozicion të të prekurve.

“Ne do të bashkojmë të gjitha nivelet e qeverisjes dhe me solidaritetin e shoqërisë do të trajtojmë të plagosurit, do të kërkojmë të zhdukurit, do të rivendosim autostradat, lidhjet e energjisë elektrike dhe telekomunikacionin në rajon”, shkroi presidenti Lula.

Porti më i madh i Amerikës Latine në Santos u mbyll, pasi shpejtësia e erës tejkaloi 55 km/h.

Gjithashtu festimet e karnavaleve, të cilat startuan të shtunën, u anuluan në disa zona, për shkak të situatës kaotike.

Në zonë priten reshje të tjera të dendura shiu, të cilat rrezikojnë të përkeqësojnë edhe më shumë kushtet për ekipet e emergjencës.

Ngjarjet ekstreme të motit si përmbytjet pritet të bëhen më të zakonshme, ndërsa ndikimin më të madh e kanë ndryshimet klimaterike.

Vitin e kaluar, shiu i rrëmbyeshëm në qytetin juglindor të Petropolis vrau më shumë se 230 njerëz.