Bota

Përmbytje masive në Kinë!

Përmbytjet e mëdha kanë detyruar evakuimin e qindra mijëra njerëzve në Kinën jugore, ndërsa priten më shumë reshje ditët në vijim. Qyteti industrial i Guangdongut pezulloi mësimin, punën në zyrë dhe transportin publik për shkak rritjes së nivelit të ujërave e kërcënimit nga rrëshqitjet e dheut.

Në provincën fqinje të Jiangxisë, pothuajse 500 mijë njerëz janë prekur nga dëmtimet e shtëpive, po si pasojë e përmbytjeve. Lumenjtë u tejmbushën dhe ujërat që vërshuan, arritën nivelin më të lartë të 50 viteve, në dy provinca të vendit aziatik.

Videot e shpërndara në mediat shtetërore tregojnë makina nën ujë, që notojnë në rrugë, si edhe njerëzit duke u përpjekur të shpëtojnë me litarë, për të mos rënë në lumenj të fryrë. Rajonet lindore të Kinës po përballen me reshjet më intensive që nga viti 1961, konfirmojnë sinoptikanët.

Banorëve të komuniteteve që jetojnë përgjatë brigjeve të lumenjve e në lagje të kërcënuara, iu kërkua të zhvendosen e të lëvizin për në pjesë më të larta. Shaoguani në provincën Guangdong ka qenë një nga më të prekurit, duke bërë që zyrtarët të japin alarmin për përmbytjet në nivelin më të lartë, pasi qyteti regjistron reshje rekord shiu që nga fundi i majit. Një alarm i ngjashëm u dha gjithashtu për qytetin Qingyuan të Guangdongut.

Sezoni i shirave të verës rezulton rregullisht me përmbytje në Kinën jugore, por ka shqetësime se ndryshimi i klimës po e përkeqëson situatën. Ndërkohë shumë zona në veri të vendit po përjetojnë temperatura jashtëzakonisht të larta. Në nivel global, stuhitë tropikale më intensive janë në rritje si rezultat i ndryshimeve të klimës, duke çuar në përmbytje të shtuara që kërcënojnë jetën e njerëzve, prodhimet bujqësore e ujërat nëntokësorë.