Bota

Përmbytje në Iran, 56 viktima!

Ndërsa vendi ynë është mbërthyer nga i nxehti përvëlues, me temperatura të larta e që sot variojnë në vlerat ditore nga 17 deri në 39 gradë celcius, në të tjera pjesë të botës, “kapriçot” e motit, po “mbjellin” tragjedi. Në Iran, raportohet se numri i të vdekurve është rritur në të paktën 56 brenda 48 orëve të fundit, si pasojë e stuhive të forta. Sipas Gjysmëhënës së Kuqe, janë edhe dhjetëra persona të humbur.

Dhjetëra vetë rezultojnë të zhdukur në kryeqytetin Teheran, si dhe në katër provinca të tjera të Republikës Islamike. Policia mbylli disa rrugë rurale për shkak se stuhitë sollën edhe rrëshqitje toke në një numër provincash. Ndërsa stuhitë vazhdojnë në të gjithë vendin, autoritetet iraniane kanë frikë nga më shumë vdekje. Që nga e enjtja, në shumë pjesë të Iranit, sinoptikanët dhanë paralajmërime për motin e keq.

Krahas ekipeve të Gjysmëhënës së Kuqe, në operacionet e shpëtimit nga përmbytjet masive, ndihmuan edhe vullnetarë. Qindra familje kanë mbetur pa shtëpi në 48 orët e fundit.

Në një tjetër kontinent, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me viktima e shkatërrim nga përmbytjet po përballet edhe Kentucky ku presidenti Joe Biden urdhëroi të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, pasi të paktën 25 njerëz gjetën vdekjen, mes tyre edhe fëmijë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë dha edhe urdhër që të dërgohen ndihma në shtetin e goditur nga moti i keq.

Po ashtu, Biden vendosi akordimin e fondeve federale për të mbështetur rindërtimin e përballimin e emergjencave. Zona e goditur nga moti i keq është një nga më të varfërat në Amerikë.

Përmbytjet janë pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që kanë përfshirë zonën prej të enjtes. Rritja e nivelit bëri që ujërat të vërshojnë nëpër shtëpi, biznese e rrugë në pjesën lindore të Kentucky-t. Ekipet e kërkim shpëtimit në terren po përdorin helikopterët për të asistuar banorët në nevojë.