Bota

Përmbytjet gjunjëzojnë Kentucky-n, qindra personave u rrezikohen banesat!

Tetë të vdekur e një vazhdë e madhe shkatërrimesh; përmbytjet masive kanë gjunjëzuar Kentakin lindor pas shirave të rrëmbyer që sipas guvernatorit të këtij shteti, sollën një nga vërshimet më vdekjeprurëse të ujërave të historinë e Commonwealthit.

 “Kjo është një fatkeqësi natyrore që ende nuk ka përfunduar, sepse akoma edhe më shumë shira priten sonte, të cilat do të përkeqësojnë situatën”, pohoi me shqetësim Andy Beshear.

Beshear u shpreh se autoritetet lokale janë ngritur në këmbë; policia e shtetit, agjencitë lokale të menaxhimit të emergjencave e deri tek personali nga Garda Kombëtare, dhe Departamenti i Peshkimit e Kafshëve të Egra, i janë përgjigjur menjëherë krizës.

Në disa pjesë të Kentuckyt ranë rreth 220 milimetra shi nga e mërkura deri të enjten në mëngjes, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit dhe vëzhguesve vendas, teksa toka në ato zona, sipas CNN, ishte tashmë e ngopur me ujë nga reshje të mëparshme.

Paralajmërimet për përmbytje në rajon u zgjatën deri  mbrëmjen e së hënës.  Shirat kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme për shtëpitë në  Appalachia dhe kanë detyruar disa banorë të ngjiten në çatitë e shtëpive të tyre të pushtuara nga uji, në pritje të ekipeve të shpëtimit.

 “Shkova tek shtëpia ngjitur, ajo e madhja, sepse jeton mamaja ime atje. Ajo vuan nga Parkinsoni dhe na u desh ta conim lart. Uji po vinte me shpejtësi, ishte e frikshme”,  tha Rebecca Ramey, banore, konteja Perry.

Një banore e zonës, Belinda Asher rrëfeu se brenda një ore, e gjitha banesa e saj përfundoi krejtësisht nën ujë. Edhe 10 apo 15 familje të tjera aty pranë, humbën po kështu gjithçka që kishin.

Guvernatori Beshar paralajmëroi se më qindra vetë rrezikojnë të mbeten pa shtëpi dhe sipas tij me shumë gjasë, do të duhen jo muaj, por vite për rindërtimin në zonat e goditura më rëndë.