Bota

Përmbytjet në Emilia-Romagna, Italia miraton paketën e ndihmës: 2 miliardë euro për zonat e prekura nga vërshimet!

Italia ka miratuar paketën për ndihmë emergjente në vlerë prej mbi 2 miliardë eurosh, për të ndihmuar popullsinë dhe bizneset në zonat e prekura nga vërshimet në rajonin verior Emilia-Romana.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka njoftuar se do të ketë një fazë rindërtimi, në të gjitha zonat të cilat janë prekur nga vërshimet dhe përmbytjet, nga të cilat autoritetet nuk janë ende në gjendje të përcaktojnë sasinë  e ndihmave dhe dëmeve të përgjithshme të shkaktuara deri më tani.

Në Itali ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Ministrave i thirrur për të miratuar dekretin e ligjit për motin e keq.

Giorgia Meloni, në tryezën me presidentin e Emilia Romagna Stefano Bonaccini dhe partnerët socialë të rajonit kanë miratuar një dekret ligj që përfshin ndërhyrjet e para urgjente, shumë thelbësor, në të gjitha ato rajone të prekura.

Dekreti ligj parashikon pezullimin e afateve në lidhje me pagesat e taksave dhe sigurimeve shoqërore deri më 31 gusht.

Sipas kryeministres italiane, në këtë paketë përfshihen shpenzimet lidhur me emergjencat dhe monitorimet mbi taksat dhe kontributet sociale për familjet dhe kompanitë e prekura.

“Në përgjithësi, kjo dispozitë e parë parashikon një ndarje prej mbi 2 miliardë eurosh për zonat e prekura nga përmbytjet. Mendoj se është e drejtë të falënderoj të gjithë ministrat. Në situatën aktuale në të cilën ndodhet Italia, të gjesh 2 miliardë euro brenda pak ditësh nuk është një gjë e lehtë. E gjithë qeveria duhet pranuar se i është përkushtuar emergjencës me përqendrimin, disponueshmërinë dhe efektivitetin maksimal të mundshëm” u shpreh Meloni.

Kujtojmë se nga përmbytjet masive në Itali, të paktën 15 persona vdiqën si pasojë e vërshimeve dhe pothuajse një javë pas kësaj katastrofe natyrore, edhe afër 23.000 mijë persona ende mbeten të pastrehë dhe disa qytete vazhdojnë të jenë të vërshuara. Ndërkaq, mijëra hektarë tokë, veçmas toka bujqësore, janë shkatërruar si pasojë e vërshimeve.