Bota

Përmbytjet në Gjermani, gjendja vazhdon e nderë; nis verifikimi i dëmeve

Situata në zonat perëndimore dhe jugore të Gjermanisë të prekura nga shirat dhe përmbytjet mbetet e tensionuar.

Ndërsa në disa zona të Gjermanisë banorët kanë nisur me rregullimin e dëmeve, në zona të tjetra e vetmja gjë që ata mund të bëjnë është të presin deri sa të të tërhiqen masat e ujit.

Ndoshta lajmi më i mirë i ditës për shumë vetë është parashikimi i motit. Sipas tij priten reshje të forta dhe rreziku për fryrjen e lumenjve duket se për momentin është shmangur.

Sidoqoftë rreziku për përmbytje të tjera mbetet i lartë, veçanërisht në jug dhe lindje të Bavarisë, sepse nga reshjet e shiut të ditëve të fundit po rritet gradualisht niveli i përrenjve dhe i lumenjve.

Në Passau, për shembull, niveli i ujit të lumit Danub ka arritur në 8.5 metra, dhe autoritetet kanë dhënë paralajmërim për përmbytje. Shëtitorja në breg të lumit dhe zonat e parkimit përgjatë lumit janë përmbytur tashmë dhe banorët po mbrojnë shtëpitë me thasë dhe barriera.

Numri i viktimave të konfirmuara për shkak të përmbytjeve shkatërruese në Gjermani arriti gjatë fundjavës në më shumë se 160 vetë.

Policia njofton se ka arritur të kontaktojë përmes telefonit me më shumë se 700 vetë që konsideroheshin të zhdukur prej katastrofës në Nordrhein-Westfalen.

Në zonat e katastrofës janë në kërkim të personave të tjerë të zhdukur 250 policë, zjarrfikës dhe punonjës të Entit për Fatkeqësi Natyrore. Sipas policisë në qarkun Rhein-Sieg dhe në rrethin Euskirchen janë rreth 150 vetë që konsiderohen ende si të zhdukur.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka vizitur zonat e përmbytura nga reshjet e fundit. Ajo premtoi ndihma të shpejta për rajonet e prekura nga katastrofa.

Angela Merkel foli për një situatë jo reale, për një tmerr të paparë deri tani, për një gjendje fantazmë, tepër të rëndë. Gjatë vizitës së rajoneve të prekura nga katastrofa e reshjeve të shiut, në vendin Schuld në Eifel, ajo tha se “gjuha gjermane nuk njeh gati asnjë fjalë për të përshkruar ate që ka ndodhur”. Më pas ajo së bashku me kryeministren e landit Rheinland-Palate, Malu Dreyer (SPD) vizitoi edhe vendin Adenau, që është një prej vendeve më të prekura nga stuhia, ku Merkel dhe Dreyer premtuan ndihma.

Reshja e shirave ndërkohë ka kaluar edhe nëpër vendet jugore të Gjermanisë, në Bavari, dhe ka përfshirë edhe pjesë të Zvicrës dhe Austrisë. Deri tani nuk dihet vlera e dëmeve materiale, por kancelarja Merkel premtoi ndihma të shpejta për të prekurit nga vërshimet.

Më parë zonat e vërshuara i kanë vizituar edhe presidenti Frank-Walter Steinmeier si dhe kandidatët për kancelarë Armin Laschet (CDU), Olaf Scholz (SPD) dhe Annalena Baerbock (partia ekologjiste).Të gjithë ata kanë premtuar ndihma të shpejta.