Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Bota

Përmbytjet në Gjermani, jepen ndihmat e qeverisë por sa do të jetë dëmi?

Qeveria gjermane vendosi sot akordimin e 400 milion eurove për banorët e goditur nga përmbytjet vdekjeprurëse si pasojë e shirave të rrëmbyer në Gjermani.

Nga inspektimet në terren rezulton se në Ahr dhe Eifel ka shtëpi të zhdukura nga vërshimi i ujërave. Në Ahrweiler, ujërat e përmbytjes morën me vete tavolina, karrige, dollapë që notuan nëpër rrugë apo pajisje hotelesh që përfunduan në baltë.

Qindra ndërtesa janë prishur e jo të gjithë kanë bërë sigurimin e shtëpive. Shumë njerëz humbën gjithçka dhe vlera e kësaj gjithçkaje, mbetet të përcaktohet.

Në fabrika duket më e lehtë të nxirret vlera në shifra. Në Bad Neuenahr ku ndodhet një fabrikë e kompanisë ZF që prodhon pjesë për makina e ku punojnë 280 vetë, në sallat e prodhimit dhe magazinimit, uji arriti nivelin 2 metra.

Sigurisht që nuk u kursye infrastruktura.

600 kilometra hekurudhë u dëmtuan. Në 80 stacione dhe pika qëndrimi ka dëme nga uji, balta e llumrat. Të paktën 20 lokomotiva e trena dolën nga përdorimi për disa muaj.

Në Luginën e Ahr-it trenat rajonalë nuk udhëtojnë dot aktualisht. Në Luginë janë prishur shtatë ura hekurudhore dhe po ashtu, 20 nga 29 kilometra të shinave. Segmenti i Eifelit nga Triri në Këln është bllokuar i gjithi.

Shumë nga riparimet duan kohë. Furnizuesi i rrjetit Mittelrhein, paralajmëroi se furnizimi me gaz në Ahrweiler kërkon muaj që të vihet në funksionim e kjo do të thotë se qytetarët do të kenë ujë të ftohtë e banesa të ftohta edhe kur të vijë sezoni i dimrit.

Llogaritë po bëhen kudo. Kompanitë e sigurimit do të japin vlerësimet e para në pak orë. Në Ministrinë e Transportit të Gjermanisë, një grup pune është mbledhur për të folur për riparimin e urave, shinave, rrugëve dhe antenave të prishura.

Vetëm për ndërmarrjen e hekurudhave Deutschen Bahn dhe rrugët duhen të paktën 2 miliardë euro.

Përmbytjet e viteve 2002 dhe 2013, gjithnjë janë përdorur si pika referimi për të bërë vlerësime të katastrofave në Gjermani. Në atë kohë, pas ndihmave të menjëhershme, Federata dhe landet vunë në dispozicion 8 miliardë euro. Por kriza aktuale ia kalon të mëparshmeve. Deri tani janë 164 viktima e fatkeqësisht bilanci pritet të rëndohet pasi shumë njerëz ende rezultojnë të humbur e në terren vijojnë operacionet e kërkimit.