Aktualitet Politikë

Përmbytjet, Rama: Po punohet me të gjitha kapacitetet dhe pa ndërprerje në zonën e prekur nga dalja e Vjosës/ Edhe policia në gatishmëri

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me 2 postime të njëpasnjëshme për situatën e krijuar nga përmbytjet dhe reshjet e dëborës në vend.

Teksa shpërndan në “Facebook” raportimin nga terreni të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, Rama thekson se po punohet me të gjitha kapacitetet dhe pa ndërprerje në zonat e prekura.

“Në terren me të gjitha kapacitetet dhe pa ndërprerje, në zonën e prekur nga dalja e Vjosës prej shtratit të saj, si pasojë e reshjeve intensive”, shkruan Rama.

Rama: Edhe Policia e Shtetit në gatishmëri

Shqipëria ndodhet në një situatë të rënduar të kushteve klimaterike, ku thuajse i gjithë vendi është “mbërthyer” nga reshjet e shiut dhe të dëborës.

Kryeministri Edi Rama në postimin e dytë njofton përmes një postimi në rrjete sociale, se Policia e Shtetit është në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë. Ai thotë se të gjithë qytetarët mund të adresohen në numrin 112 në rast nevoje, ose mund ta bëjnë thirrjen përmes telefonit në Komisariatin Dixhital.

Postimi i kryeministrit Edi Rama:

Edhe Policia e Shtetit prej ditësh në gatishmëri, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë.
Është përforcuar shërbimi edhe në të gjitha Sallat Operative të Policisë, ku qytetarët mund të adresohen përmes numrit 112 ose përmes njoftimit nga smartfoni në Komisariatin Dixhital