Aktualitet

Përplaset autoambulanca në Rinas, vdes pacientja, tre persona në gjendje kritike!

Rreth mesnate, një aksident i rëndë u shënua në rrugën e Rinasit ku nga përplasja e një autoambulance me një makinë, humbi jetën një 42-vjeçare, e cila po transportohej me urgjencë drejt Tiranës. Ndërkaq, janë në gjendje të rëndë shëndetësore edhe tre persona: infermieri Arjan Balloku 30-vjeç, Marsida Berdaku 32, e cila shoqëronte viktimën, si dhe Yrmelind Gashi, pasagjer i automjetit të përfshirë në aksident. Sa i përket dy drejtuesve, Ilir Shullazi, shofer i autoambulancës dhe Antigon Abazi, mësohet se kanë marrë dëmtime të lehta. Në vendngjarje vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave.

Më datë 27.11.2021, rreth orës 23:50, në rrugën e “Rinasit”, janë përfshirë në aksident mjeti me drejtues shtetasin A. A., me mjetin e ambulancës të spitalit të Krujës. Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje pacientja që ndodhej në ambulancë, shtetasja A. B., 42 vjeçe.

Gjithashtu janë dëmtuar dhe ndodhen në spital në gjendje të rëndë për jetën shtetasit A. B., 30 vjeç (infermieri i ambulancës), M. B., 32 vjeçe, të cilët ndodheshin në ambulancë, dhe shtetasi Y. G., 22 vjeç, pasagjer i mjetit tjetër. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Një tjetër aksident është regjistruar mëngjesin e sotëm në rrugët e vendit. Në Derven të Krujës, u përplasën dy makina dhe mbeti i plagosur drejtuesi i njërës prej tyre, efektiv policie. 57-vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, fatmirësisht jashtë rreziku për jetën.

Më datë 28.11.2021, rreth orës 06:10, në Derven Krujë, një mjet me drejtues shtetasin N. H., 57 vjeç, punonjës policie në Komisariatin e Policisë Krujë, është përplasur me një mjet tjetër me drejtues shtetasin M. B, 30 vjeç. Shtetasi N. H, ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.