Aktualitet

Përplasja e banorëve me policinë në lagjen ‘5 Maji’, reagon Gledis Nano: S’ka pasur asnjë ankesë për dhunë, do të kryhen verifikime në rast shkelje

Nga Korça, ku ishte i pranishëm për të bërë një analizë të punës 1-vjeçare të policisë në këtë qark, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me nxjerrjen e banorëve nga banesat nga Policia e Shtetit, një ditë më parë në lagjen e ‘5 Majit’ në Tiranë.

Nano u shpreh se nuk ka pasur ndonjë ankesë për dhunë, ndërsa theksoi se nëse do të ketë, atëherë do të bëhet një hetim mbi rastin dhe do të merren masat përkatëse administrative.

Pyetja: Banorët e lagjes “5 Maji” në Tiranë janë nxjerrë me dhunë nga policia nga banesat e tyre, mes tyre edhe fëmijë, gjithashtu u dhunua edhe një operator, çfarë keni për të thënë?

Sot Policia e Shtetit ka qenë në mbështetje të një pune që po zhvillonte Inspektoriati për Mbrojtjen e Territorit në bashkinë e Tiranës. Në dijeninë time deri tani, por edhe nga qëndrimet e institucioneve të tjera nuk ka patur ndonjë ankesë. Por këto që thoni ju do të verifikohen dhe në rast se do të ketë shkelje në procedurat standarde të Policisë së Shtetit atëherë do të merren masat përkatëse administrative, tha Nano.

Njoftimi i Policisë:

Për përplasjen te 5 Maji mes banorëve dhe policisë në kuadër të prishjes së disa banesave për rikualifikim urban dhe rindërtimin, 4 shtetas janë nën hetim në gjendje të lirë.

Mes të hetuarve është edhe Elson Marku, i cili kërcënoi kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. 41-vjeçari akuzohet për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.

Janë proceduar edhe K. L., 40 vjeç dhe L. M., 30 vjeç dhe Z. N., 38 vjeçe, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Këta shtetas, në rrugën “5 Maji” kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, duke treguar mosbindje ndaj urdhrave të tyre dhe duke i penguar në zbatimin e detyrës.