Aktualitet Politikë

Përplasja me Bashën, Meta i rikthehet deklaratës së 2015-ës!

Vazhdojnë përplasjet në distancë Meta-Basha. Presidenti i Republikës risjell një deklaratë të 2015-ës për kreun e PD-së, i cili dje vijoi me akuzat për të.

Të dashur miq, me këtë freskim kujtese, për një konstatim që në vitin 2015, ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë, të paqtë dhe të gëzuar, përfshirë edhe “artistin” e Rilindjes.

Referuar Bashës, 6 vjet më parë Meta, i cili në atë kohë ishte kryetar Kuvendi shkruante:

Lidhur me risitë dhe çuditë që po sjell në politikën shqiptare kryetari i PD-së, zoti Basha nuk ka nevojë të jap edhe shumë sqarime. Është i vetmi kryetar opozite i cili në vend që të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit siç kërkohet në përgjithësi nga kryetarët e opozitës në të gjithë Europën dhe botën kërkon vetëm dorëheqjen e kryetarit të parlamentit dhe unë e kuptoj se kush është arsyeja e vërtetë. Është pakënaqësia e tij e thellë për respektin maksimal që unë tregoj jo thjesht ndaj demokratëve në parlament, por sidomos ndaj liderit historik, zotit Berisha duke i dhënë mundësinë të shprehë pa kufizim në tërësi mendimet dhe qëndrimet e tij politike. Të jeni të bindur që do të dëgjoni çudi të mëdha për akuzat e tij ndaj qeverisë kriminale Meta-Meta dhe për shtypjen dhe terrorin e saj ndaj opozitës së pafajshme Basha-Rama.

Këshilltari për Mediat dhe zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi iu përgjigj sot deklaratave të Lulzim Bashës, se qasja e Metës para zgjedhjeve ishte ajo që shkatërroi frymën opozitare në 25 prill.

Përsëri kryetari kukull, me porosi të padronit të tij, në shëtitjet mediatike të komisionuara, u përpoq të provokonte presidentin Ilir Meta për të shfajësuar vetveten nga të gjitha greminat drejt të cilave e çoi opozitën nga 17 maj 2017 deri më 25 prill 2021. Si kontribuuesi kryesor i Rilindjes, me katërkëndëshin e përgjegjësive të tij madhore: bojkoti i reformës administrative-territoriale; bojkoti i reformës në drejtësi; djegia e mandateve të deputetëve; zerimi i opozitës në pushtetin vendor, që sollën kapjen totale të shtetit, tashmë i vendosur të bojkotojë edhe kuvendin e demokratëve nga pamundësia e ballafaqimit me ta, kërkon shpëtim duke kërkuar në mënyrë të mjerë të spostojë vëmendjen nga një tjetër krizë shumë e rëndë, ku e ka zhytur sërish opozitën.

Sipas tij, ishte Basha i cili i kërkoi Presidentit shtyrjen e datës së zgjedhjeve vendore 2019.

Hipokriti, që gjoja do përmbyste me dhunë regjimin në mitingun e 8 qershorit 2019, iu lut në gjunjë dhe me lot në sy presidentit Meta, në Gjermani, për t’i anuluar zgjedhjet vendore se nuk i kontrollonte dot më njerëzit dhe se mund të kishte gjakderdhje. Presidenti Meta në vlerësim të interesit publik dhe për të shmangur çdo përplasje, mori një vendim shumë të vështirë, për shfuqizimin e datës dhe për t’i dhënë mundësinë opozitës të përfshihej në një datë tjetër.