Aktualitet

Përplasja mes tifozëve holandezë e italianë në Tiranë, 60 të shoqëruar, 10 efektivë të plagosur!

Policia e Shtetit bën të ditur se “mbrëmjen e djeshme në Tiranë, një grup tifozësh lëvizën në drejtim të stadiumit “Air Albania” dhe sipas informacioneve tentuan të përplaseshin me një grup tifozësh të skuadrës tjetër”.

Detajet jepen përmes një njoftimi për mediat, ku theksohet:

Shërbimet e Policisë kanë tentuar t’i ndalojnë në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku tifozët e skuadrës Feyenoord, në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë me shishe qelqi, shkopinj, gurë e sende të tjera të forta”.

Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së DVP Tiranë ku dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.  Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, janë plagosur 10 punonjës Policie e është dëmtuar një automjet policie.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur shpërndarjen e tyre si dhe kanë shoqëruar në ambientet e Policisë 60 shtetas nga grupet e tifozëve të dyja skuadrave, 48 shtetas italian dhe 12 shtetas holandez e vijon shoqërimi i personave të tjerë, të përfshirë në akte të dhunshme.

Policia e Shtetit bën thirrje për shmangien e veprimeve të dhunshme, që nuk manifestojnë asnjë lidhje me sportin.

Policia e Shtetit thekson se është e vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë, për të parandaluar shkatërrimin e pronës si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv që do të zhvillohet në “Air Albania”. Dhe për këtë ka marrë të gjitha masat që parashikon ligji.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të mos provokohen nga individë apo grupe tifozësh që mund të jenë nën efektin e alkoolit dhe të njoftojnë menjëherë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo tentativë të prishjes së rendit e të sigurisë.

Në një Tiranë të blinduar nga masat e sigurisë, sonte në orën 21:00, nis përballja e shumëpritur Roma-Feynoord, finalja e Conference League, njëherazi historike për Shqipërinë, që për herë të parë pret një sfidë të rëndësisë e përmasave të tilla.