Aktualitet

Përplasja në Mamurras, autorët pritë efektivëve pas kontrollit në lokal

Policia e Kurbinit arrestoi një efektiv për plagosje nga pakujdesia në kushtet e vetmbrojtjes në Mamurras të 2 kolegëve të tij dhe një personi tjetër. Ngjarja ndodhi pasi oficerët u përfshinë në një sherr me disa pjesëtarë të fisit të ish deputetit Mhill Fufi. Të arrestuar janë edhe 3 prej personave të përfshirë në sherr, Gjon Fufi, Nikoll Fufi, dhe Rudolf Fufi. Përplasja filloi gjatë një kontrolli të efektivëve në një lokal për aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit, që vijoi më pas me pritën e autorëve që tentuan të hakmerren duke qëlluar efektivët me mjete të forta.

Konflikti nisi pas kontrollit në lokal

Gjithçka filloi gjatë një kontrolli të efektivëve në lokalin e F.L. për aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. 3 policët, David Medani, Ilir Zeka dhe Flamur Lleja, gjatë paradites së djeshme kanë kryer kontroll në ambientet e një lokali në pronësi të shtetasit L.F. për aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit por kanë hasur në kundërshtimin e shtetasit Nikoll Vorfi (Fufi), i cili është shoqëruar më pas në polici për sqarimin e situatës dhe më pas është lënë i lirë. Por ngjarja nuk është lënë me kaq, ku Nikoll Vorfi së bashku me Gjon Fufin dhe Rudolf Fufin kanë pritur që efektivët të ndërronin turnet e shërbimit dhe u kanë dalë përpara punonjësve të policisë me qëllim goditjen me mjete të forta. Ndodhur para këtij fakti, punonjësi i policisë David Medani i cili në kushtet e vetëmbrojtjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, ka përdorur armën, në fillim duke gjuajtur në ajër dhe pastaj nga goditja me sende të forta e shtetasve, ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin Nikoll Vorfi dhe dy kolegët e tij Ilir Zeka dhe Flamur Lleja. Të plagosurit janë dëmtuar në këmbë dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Kjo ka bërë që mëngjesin e sotëm policia të arrestojë efektivin David Medani dhe Gjon Fufin, Nikoll Fufin (e ka ndryshuar mbiemrin në Vorfi), dhe Rudolf Fufin.

Gjithashtu policia ka sekuestruan si provë materiale 3 gëzhoja nga arma e zjarrit në posedim të punonjësit të policisë David Medani dhe automjetin tip “Porsche Cayen” me të cilin udhëtonin autorët e dyshuar të ngjarjes./shqiptarja