Aktualitet

Përplasje në Roskovec, kandidati i “Bashkë Fitojmë” godet me grushta dy qytetarë në qendrën e votimit

Një përplasje ka ndodhur në Roskovec, ku kandidati i “Bashkë Fitojmë” Erdit Hazizaj ka goditur me grushta dy qytetarë në Qendrën e Votimit 3061. Dy qytetarët e plagosur quhen Andrea Hatia dhe Taulant Cjapi.

Në vendngjarje ka mbërritur Policia e Shtetit dhe po bën veprimet përkatëse. Ende nuk dihet arsyeja e përplasjes së tyre.

Partia Socialiste Roskovec e ka dënuar këtë akt duke e quajtur të dhunshëm të kandidatit të subjektit zgjedhor “Bashkë Fitojmë”, Erdit Hazizaj. Sipas tyre ky është një akt i rëndë dhe i papranueshëm, ku një kandidat ushtron dhunë ndaj popullit, i cili sot ka ditën e tij për të ushtruar vullnetin.

Ndërkohë një incident është shënuar edhe në qendrën e votimit Zvezdë të Maliqit ku deputeti i Rithemelimit, Edmond Spaho është konfliktuar me një qytetar. Denoncimi për rastin është bërë nga kandidati i PS-së për bashkinë e Maliqit, Gëzim Topçiu. Ndërkohë nga ana tjetër, mësohet se Spaho ka pretenduar se është rrethuar nga disa persona të cilët nuk e kanë lënë të takohet me komisionerët. Ai shprehet se është shtyrë nga disa persona dhe për pasojë ka reaguar.