Aktualitet

Përshpejtohet inflacioni në Itali!

Inflacioni i çmimeve të prodhimit në Itali u përshpejtua më tej në gusht duke arritur një nivel rekord, sipas shifrave zyrtare. Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me 40,1% në terma vjetore, në gusht, krahasuar me 36,9% në muajin korrik. Trendi rritës i inflacionit ka ardhur kryesisht si pasojë e dinamikës intensive rritëse në tregun vendas të çmimeve dhe aktiveve të furnizimit me energji elektrike dhe gaz.

Në gusht, çmimet e prodhimit në tregun vendas dhe të huaj u rritën respektivisht me 50,3% dhe 12,5% krahasuar me vitin e kaluar. Në baza mujore, çmimet e prodhimit u rritën me 2,8% kundrejt një rritjeje prej 5,0% në korrik.

Institutet kryesore të kërkimit ekonomik të Gjermanisë kanë parashikuar një tkurrje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për të tretin tremujor radhazi duke filluar nga tremujori i tretë aktual. Në 2022, institutet parashikojnë një rritje ekonomike prej 1,4% si rezultat i një performance të mire në gjysmën e parë të vitit, sipas raportit të Ministrisë gjermane të Ekonomisë. Në vitin 2023, parashikohet një rënie të prodhimit ekonomik prej 0,4%.

Aktualisht, institutet e kërkimit ekonomik nuk parashikojnë një mungesë të gazit. Mesatarisht, nuk pritet një mungesë e gazit në Gjermani, në dimrin e ardhshëm.

Francë, sindikatat bënë thirrje për greva kombëtare dhe protesta kundër rritjes së çmimeve e reformës së pensioneve, të propozuar nga presidenti Emmanuel Macron. Transporti publik dhe shkollat do të jenë fokusi kryesor i grevave. Në Paris, metroja duhej të funksiononte pa kufizime, por u njoftua ndërprerje.

Me inflacion përballet edhe Britania e Madhe ku kryeministrja Liz Truss këmbëngul se “masat e qeverisë për uljen e taksave janë plani i duhur përballë rritjes së kostove të energjisë dhe për të nxitur rritjen ekonomike pavarësisht çrregullimeve të tregut”. Truss mbështet minibuxhetin, ndërsa këmbëngul se nevojiten veprime urgjente.