Botë e Çuditshme Lifestyle

Çudirat nuk kanë fund, lind breshka e rrallë albine!

Një breshkë e rrallë gjigante albine ka dalë së fundmi për herë të parë për publikun në një kopsht zoologjik zviceran. Dy nga breshkat lindën muajin e kaluar në “Tropikuarium” në qytetin perëndimor të Servion, si pjesë e një programi për të ruajtur speciet e rrezikuara. Njëra është e zezë si prindërit e saj dhe tjetra është albine. Gjinia e tyre ende nuk është përcaktuar.

Anëtari i stafit, Thomas Morel thotë se ishin mjaft të befasuar nga ngjyra e breshkës. Ai shpjegon se kjo mund të ndodhë që në lindje, por pas dy ditësh, ishin të sigurt se ishte një albine kur tregoi majën e kokës, kështu që ishte vërtet befasuese, për këtë specie.

Nëna, e cila peshon më shumë se 100 kilogramë, lëshoi pesë vezë më 11 shkurt dhe breshka albine u lind më 1 maj. Breshka tjetër u çel më 5 maj pasi vezët kaluan dy muaj e gjysmë në një inkubator. Breshka mashkull do të arrijë deri në 180 kg. Dyshja janë rreth 30 vjeç dhe sapo kanë arritur pjekurinë seksuale. Shkalla e suksesit të çiftëzimit është vetëm rreth 2%-3% për këtë specie. Breshkat e vogla peshojnë rreth 50 gram në lindje dhe mbahen në pëllëmbën e dorës.

Rikujtojmë, se banori më i famshëm i Shën Helenës, një prej ishujve më të largët në botë, breshka gjigante Jonathan, festoi këtë vit ditëlindjen e 190-të, duke u bërë sipas Rekordeve Botërore Guinness, breshka më e vjetër që ka jetuar ndonjëherë. Thuhet se kur lindi breshka Jonathan, mbretëresha Viktoria ishte ende një adoleshente.

Sipas kreut të turizmit në Shën Helena, Matt Joshua, breshka gjigante Jonathan mund të jetë edhe 200-vjeç, pasi askush nuk e di moshën e saktë të tij. Dëshmi për moshën e breshkës u bë një fotografi e vjetër e shkrepur midis vitit 1882 dhe 1886. Në të, shihet Jonathan në kopshtin e “Plantation House”, rezidenca e Guvernatorit të atëhershëm të Shën Helenës.