YouTuberi britanik Arun Maini ka vendosur një rekord të ri botëror Guinness duke ndërtuar telefonin më të madh në botë. Pajisja e madhe është 2.054 metra e gjatë dhe peshon deri në 200 kilogramë. Në mënyrë të pabesueshme, pajisja është plotësisht funksionale, e kompletuar me një ekran me prekje, aplikacione, kamerë me blic 400 vat, port karikimi dhe më shumë.
Videoja tregon YouTuber-in duke luajtur lojëra në rrugët e Londrës. Sipas fansit të teknologjisë, i njohur më mirë si Mrwhosetheboss, ai kaloi më shumë se tre muaj duke ndërtuar pajisjen, e cila është një version i një iPhone 15 Pro Max. “Çdo komponent në telefon duhet të jetë plotësisht funksional, ekrani, kamerat, altoparlantët, madje edhe butonat”-tha Maini.
Rikujtojmë, se kompania e njohur Apple ka hedhur në treg iPhone 16, i cili konsiderohet si celulari i parë me Inteligjencë Artificiale të integruar brenda tij. Telefonët iPhone 16 Pro janë pak më të mëdhenj, krahasuar me paraardhësit e tyre. Niveli Pro i modelit fillestar është 6,3 inç dhe Pro Max është 6,9 inç, gjë që i lejon përdoruesit të kenë një ekran më të madh për lojëra dhe filma.
Sipas kompanisë Apple, celularët e rinj janë më të hollë, kanë një bateri që reziston më shumë, si dhe vijnë në 4 ngjyra të ndryshme. iPhone 16 i ri do të fillojë nga 799 dollarë, iPhone 16 Plus nga 899 dollarë dhe çmimi më i lartë arrin në 1599 dollarë. Telefoni i ri, përmes Inteligjencë Artificiale do t’i lejojë përdoruesit të marrin informacion për gjërat rreth tyre vetëm duke drejtuar kamerën.