Aktualitet

Pezullim dënimi, Gjykata e Lartë i thotë “JO”, ish-kryeprokurorit Llalla!

Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën lidhur me pezullimin e dënimit me dy vjet burg të Adriatik Llallës. Ish-kryeprokurori argumentonte se për shkak se vuan nga një sëmundje e pashërueshme, izolimi do t’i sillte pasoja të rënda për shëndetin. Avokati Sokol Hazizaj:

Gjykata e Apelit në Romë pranoi faktet e gjendjes së tij shëndetësore të rënduar dhe në një farë mënyre refuzoi kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradim. Italia e njeh gjendjen e tij shëndetësore të rënduar dhe pezulloi ekstradimin. Çuditërisht, gjykata shqiptare nuk e njeh!

Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja:

Gjendja shëndetësore e Llallës është e njohur, por jo shkak për pezullim. Kjo gjendje ka qenë prej kohësh. Ka kryer funksione të larta dhe nuk është bërë pengesë sëmundja.

Ende nuk dihet se çfarë po ndodh me ekstradimin e Llallës nga Italia, kërkesë e para katër muajve. Ndonëse kaluan afatet për ta ekstraduar, duket se vendimi i Apelit të Gjykatës së Romës i ka dhënë mundësi të qëndrojë në Itali ndërsa pasaporta i është bllokuar nga autoritetet në vendin fqinj.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në tre raste. Llalla akuzohet se nuk deklaroi një shumë prej rreth 7 mijë dollarësh për lindjen e djalit, shpenzimet që lidhen me ndërtimin e katit të tretë të një banese, si dhe të ardhurat për shkollimin e vajzës në Gjermani.

Në përfundim të gjykimit në shkallët e tjera, u vendos konfiskimi i pasurisë së tij: një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë, në periferi të Tiranës. Ndërkohë Apeli i GJKKO-së e ndalon ish-shefin e organit qendror të akuzës, të kryejë funksione publike për 5 vite.

Në prag të marrjes së vendimit të formës së prerë, Llalla u largua jashtë vendit tonë, ndërkohë që pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar u arrestua në Itali, në dhjetor të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë, Adriatik Llalla ndodhet nën mbikëqyrjen e autoriteteve italiane në pritje të vendimit që do të marrë gjykata italiane pas kërkesës së Shqipërisë që kërkon ekstradimin e tij.