Aktualitet

Pfizer kërkon autorizim për përdorim të vaksinës tek grupmosha 12-15 vjeç!

Kompania prodhuese e vaksinave Pfizer-Biontech pritet të kërkojë aprovim nga Agjencia Evropiane e Barnave që vaksina e saj të përdoret tek fëmijët e moshës 12-15 vjeç.

Gjatë muajit mars kompania bëri me dije se vaksina e saj është provuar të jetë 100% efektive tek kjo grup moshë, pasi në provat e fazës 3 që përfshinë 2 mijë e 260 fëmijë në Shtetet e Bashkuara “demonstruan 100% efikasitet dhe përgjigje të fuqishme të antitrupave”

Ekspertët e kompanisë thanë se shpresojnë të fillojnë vaksinimin e kësaj grup moshë para vitit të ardhshëm shkollor dhe do të kërkojnë autorizim edhe nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave dhe Agjencia Evropiane e Barnave për të zgjeruar përdorimin e vaksinës.

Fëmijët e të gjitha moshave janë të ndjeshëm dhe mund të transmetojnë SARS-CoV-2, por të dhënat treguan se fëmijët midis 1-18 vjeç kanë shkallë më të ulët se të gjitha grup moshat e tjera për shtrimet në spital, simptoma të rënda dhe vdekje nga COVID.

Fëmijët më të vegjël gjithashtu janë më pak të ndjeshëm ndaj infeksionit dhe kur infektohen më rrallë çojnë në transmetim të mëtejshëm sesa të rriturit. Edhe pse nuk janë pjesë e grupeve të rrezikuara ekspertët insistojnë që për ta bërë botën të sigurt nga COVID-19, të gjithë duhen vaksinuar.