Bota

Pfizer&BioNTech drejt dozës së tretë të vaksinës anti-COVID!

Kompanitë amerikane e gjermane Pfizer&BioNTech njoftuan se në javët e ardhshme do të kërkojnë autorizim nga rregullatorët për të aplikuar dozën e tretë të vaksinës së tyre anti-COVID.

Kërkesa pritet t’i drejtohet Administratës Amerikane të Ushqimit e Ilaçeve, FDA dhe Agjencisë Europiane të Medikamenteve, EMA. Lëvizja pason të dhënat paraprake “inkurajuese” të një eksperimenti klinik që treguan se një injektim i tretë rrit nivelin e antikorpeve me 5 deri në 10 herë më shumë në krahasim me dhënien e vetëm dy dozave.

Dy kompanitë famaceutike pritet që së shpejti të publikojnë rezultatet përfundimtare. Vaksina e Pfizer&BioNTech përdoret edhe në Shqipëri krahas britanikes AstraZeneca, kinezes Sinovac e ruses Sputnik V.

Në 90 vende të botës ka një shqetësim për variantin Delta që konsiderohet kërcënim real dhe gjithashtu po përhapet me shpejtësi e në mënyrë agresive në rajon, pasi si Kosova ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë konfirmuar raste.

Aktualisht, në Shqipëri nuk ka sinjale laboratorike që tregojnë që ky variant po qarkullon në vendin tonë por autoritetet shëndetësore vazhdojnë monitorimin e kujdesshëm.

Prej fillimit të vaksinimit në janar, janë kryer mbi 1 milion vaksinime e më shumë se 400 mijë qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinave anti-COVID.