Bota

Pheniani hedh raketë balistike, i paraprin takimit Kore e Jugut-Japoni!

Koreja e Veriut nuk tërhiqet e vazhdon testet shumë të diskutueshme, për të cilat është sanksionuar nga ndërkombëtarët pasi përbëjnë burim shqetësimi sidomos për fqinjët. Raportohet se sot, vendi komunist i udhëhequr nga Kim Jong Un lëshoi një raketë balistike në det e që ra në pjesën mes Gadishullit Korean e Japonisë.

Kjo ndodhi vetëm disa orë para se presidenti i Koresë së Jugut, të shkonte në kryeqytetin japonez Tokio, për të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë ku pritet të diskutohet mbi mënyrat për t’iu kundërpërgjigjur Koresë së Veriut për provat raketore.

Kujtojmë se prej fillimit të javës, Koreja e Veriut ka intensifikuar hedhjen e raketave, sidomos tani që Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë stërvitjet të përbashkëta ushtarake, që Pheniani i dënon pasi i konsideron “veprime armiqësore”.

Në një deklaratë të publikuar sot, ushtria koreano-jugore tha se “Veriu ka lëshuar të paktën një lloj rakete balistike të panjohur, në brigjet lindore të tij”.

Edhe qeveria japoneze konfirmoi hedhjen e raketës e Roja Bregdetare e Japonisë vlerësoi se ajo mund të ishte një armë me rreze të gjatë veprimi, si raketat balistike ndërkontinentale.

Presidenti koreano-jugor, Yoon Suk Yeol do të shkojë në Japoni për takimin me kryeministrin japonez Fumio Kishida, i veçuar si i pari i këtij niveli në më shumë se një dekadë. Bisedimet janë pjesë të një përpjekjeje për të kapërcyer mosmarrëveshjet historike, politike dhe ekonomike, në emër të një bashkëpunimi më të mirë për t’iu kundërpërgjigjur Koresë së Veriut e sfidave të tjera.

Po si pjesë e përpjekjeve, Koreja e Jugut e Japonia, aleate të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ranë dakord të ndajnë informacione në kohë reale në lidhje me hedhjen e raketave nga Koreja e Veriut. Po ashtu, ato janë angazhuar të thellojnë më tej bashkëpunimin ushtarak.