Bota

Pikëpyetje mbi vazhdimin e bisedimeve Rusi-Ukrainë!

Ukraina akuzon forcat ruse se hapën zjarr ndaj dy autobusëve që evakuonin civilët nga Popasna, në rajonin e Luganskut, por nuk ka njoftime për viktima apo të plagosur. Ky rajon është shënjestër e sulmeve të vazhdueshme nga pushtuesit. Shumë objekte banimi e arsimore u shkatërruan, ndërsa të gjithë spitalet u dëmtuan. Mbi 60 mijë civilë refuzuan të evakuohen dhe ende janë në Lugansk.

Vihet në pikëpyetje vazhdimi i negociatave për t’i dhënë fund luftës ruse në Ukrainë teksa presidenti ukrainas, Zelensky tha se “vështirë të bisedohet për paqe” pas pretendimeve për krime makabre nga forcat ruse. Por, ministri i Jashtëm rus, Lavrov deklaroi se “heqja e sanksioneve perëndimore kundër Moskës është kyçe për bisedimet”.

Shpresat u zbehën për një evakuim të civilëve nga qyteti i rrethuar i Mariupolit në lindje të Ukrainës, ku Rusia vazhdon ofensivën. Zelensky u shpreh sot se “forcat ukrainase po shënojnë përparime taktike në rajon”. Kievi ka planifikuar një operacion për të evakuuar civilët nga uzina e çelikut Azovstal, ku 2 mijë forca ushtarake ukrainase dhe rreth 1 mijë qytetarë kanë mbetur të bllokuar.

Në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, ka raportime për sulme. Por, Zelensky veçoi si lajm të mirë faktin që forcat ukrainase rimorën kontrollin e një fshati strategjik pranë Kharkivit, duke arritur të evakuojnë qindra civilë. Sipas tij, “Rusia synon ta zbrazë rajonin e Donbasit dhe të largojë të gjithë banorët”. Presidenti shtoi se “tani Mariupoli është shndërruar në kamp përqendrimi mes rrënojash”.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov hodhi poshtë kërkesën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi nevojën e korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve nga qytetet ukrainase, duke i bërë thirrje Perëndimit, të mos i ofrojë armë Ukrainës, se sipas tij, “kjo po vështirëson vazhdimin e negociatave me Kievin”.

Vlerësojmë propozimet e shefit të OKB-së, Antonio Guterres për të ndihmuar në evakuimin e civilëve, por nuk është nevoja që dikush të ofrojë ndihmë për hapjen e korridoreve humanitare.

Për agjencinë kineze Xinhua, Lavrov tha sot se “bisedimet me Kievin po vazhdojnë” teksa Moska këmbëngul “në njohjen e realiteteve të reja gjeopolitike, në heqjen e sanksioneve perëndimore dhe në statusin e gjuhës ruse”. Negociatorët ukrainas dhe rusë nuk janë ulur në të njëjtën tryezë që prej fundit të marsit, kohë kur trupat ruse u akuzuan se kanë kryer krime lufte.