Aktualitet

PL: Të shkrihet Bordi i Transparencës!

Partia e Lirisë rikërkon shkrirjen e të ashtuquajturit Bordi i Transparencës së qeverisë për çmimet e karburanteve. Deputeti Petrit Vasili:

Shoqata e Hidrokarbureve ka evidentuar qartë se rritja e naftës në bursën Platzz ishte vetëm 3 dollarë me një efekt prej 3 lekë për litër, ndërkohë që bordi e rriti 10 lekë për litër. Do të thotë që 7 lekë të tjera do të vinin si pasojë e rritjes së kursit të dollarit. Por në fakt, duke ju referuar Bankës së Shqipërisë ka ndodhur krejtësisht e kundërta. Pasi kursi i dollarit në raport me lekun ka një rënie prej 1.5 pikësh, duke arritur në 120.47 nga rreth 122 që ishte më parë.

Kjo rënie që vazhdon, e sot që flasim ka arritur në 118.85 e megjithatë bordi në vend që ta ulte sipas argumentave të veta vazhdon ta mbajë të rritur. Është shumë e qartë, që ky bord është një grup hajdutësh ku të dy palët qeveri dhe oligarkët e ulur në tavolinë kanë vetëm një motiv sesi të vjedhin gjithmonë dhe më shumë shqiptarët. Qeveria mbush arkën për të paguar koncesione dhe tendera e të tjerë. Kurse oligarkët mbushin xhepat e tyre dhe të qeverisë.

Prej kohësh kemi kërkuar shkrirjen e menjëhershme të këtij bordi hajdutës, gjë të cilën e ka kërkuar qartë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i cili thotë: Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve. Për këtë arsye, përpjekjet për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale në vend duhet të vazhdojnë, duke përfshirë dhe zgjerimin e mbulimit të shtresës së varfër dhe në nevojë në sektorin informal.

Kemi propozuar që 7 muaj më parë një projektligj në Parlament për pezullimin e taksës së qarkullimit dhe të karbonit por qeveria që ka rrëmbyer prej gryke dhe Parlamentin e ka bllokuar me çdo mjet shqyrtimin e tij. E ka bllokuar sepse nuk ka asnjë interes që të lehtësojë shqiptarët nga dara e çmimit të rritur të naftës por kërkon t’i zhvasë me çdo mjet dhe mënyrë.

Eshtë fakt asgjësues që çmimet e naftës në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi i nxjerrin bojën qeverisë së Rilindjes. Pasi Kosova e ka çmimin 1.6 euro, Maqedonia 1.48 dhe Mal i Zi 1.68, ndërkohë që Shqipëria e ka çmimin rreth 2 euro për litër. Diferenca e vetme midis tyre është sepse në këto vende ka qeveri të përgjegjshme kurse në Shqipëri ka një qeveri hajdute.

Rruga e vetme që shqiptarët të mos vidhen më e të mos largohen nga vendi i tyre është vetëm shporrja një orë e më parë e kësaj qeverie grabitqarësh dhe rrëmbyesish.