Aktualitet

Plagosje me armë zjarri në Laç, një 15-vjeçar në spital/Shpallet në kërkim autori 17-vjeç!

Plagosje me armë zjarri në Laç. Një 15-vjeçar mori plagë në pjesën e këmbës pasi u qëllua nga një tjetër i mitur, i moshës 17-vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi jashtë rrethimit të një gjimnazi dhe pasoi një konflikt çasti mes të dyve. Policia që ka identifikuar autorin, po punon për kapjen e tij. I plagosuri u transportua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme.

Njoftimi zyrtar i Policisë:

Rreth orës 12:20, në lagjen nr.4 në Laç, jashtë rrethimit  të gjimnazit, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi i mitur L. Rr. 15 vjeç, nxënës në gjimnaz, banues në Kurbin, i cili është transportuar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë me marrjen e njoftimit, shërbimet e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore, kanë identifikuar autorin e dyshuar shtetasin A.Gj. 17 vjeç, gjithashtu nxënës i gjimnazit. Shërbimet e Policisë po vijojnë  kontrollet me qëllim lokalizimin e kapjen e autorit.

Grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit, njëkohësisht vazhdon veprimet hetimore në vendin e ngjarjes për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.