Aktualitet

Plan në Shqipëri mbi përgjigjen anti-COVID e impaktin post-koronavirus!

Për vitet 2021-2023, Shqipëria ka Planin e Përgjigjes ndaj pandemisë dhe impaktit post-COVID/19. Dokumentin e hartuar nga ekspertët, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cilësoi “orientues”.

Eshtë gjithmonë një dokument dinamik, një dokument fleksibël, pra që në kohë, përshtatet me ndryshimet që mund të ketë, me evidencat e reja shkencore që mund të dalin, me situata që mund të krijohen, në bazë të skenarëve padyshim të vendosur në këtë plan, por edhe të çfarë eksperiencash ne mund të kemi në të ardhmen.

Vaksinimi anti-COVID, kryefjalë e Planit.

Përpjekja mbetet tek rritja e mbulesës vaksinale, që padyshim është një detyrë e jona, e sistemit shëndetësor i cili është çdo ditë në këmbë, në funksion të kësaj detyre. Qeveria shqiptare ka garantuar deri më tani dozat e nevojshme të vaksinës. Brenda pranverës së vitit të ardhshëm, ne duhet të mundësojmë vaksinimin e popullatës target, ashtu sikurse e kemi përcaktuar. Ndërkohë që tashmë e kemi marrë vendimin për të siguruar që edhe studentët të jenë të vaksinuar dhe të shkojnë në universitete të vaksinuar, për të siguruar që shkollat tona të vazhdojnë procesin normal të mësimit në auditore, ndaj edhe muaji tetor do të jetë një muaj i hapur për vaksinimin.

Fokusi tjetër është tek shëndeti mendor nga impakti post-COVID, ndërsa forcimi i kapaciteteve do të vijojë me investime të tjera.

Plani ynë parashikon që të ketë rreth 1800 shtretër të dedikuar për çdo skenar në përballimin e situatës, sigurisht të ndarë sipas tre skenarëve kryesorë që kemi. Një ndër investimet që me të vërtetë do të luajë rol kyç për nga rëndësia është rehabilimi i plotë i Spitalit Infektiv, me aparatura të teknologjisë së lartë.

Objektivat e strategjisë së Planit të Përgjigjes 2021-2023:

Forcimi i survejancës epidemiologjike e masave të parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit në komunitet; menaxhimi i rasteve me SARS-CoV-2 në nivel spitalor dhe përballja me skenarët e rinj të mundshëm; organizimi i kujdesit shëndetësor, forcimi i QKUM, infrastrukturës spitalore dhe burimeve njerëzore.