Bota

Planet e qeverisë për rritjen e moshës së pensionit, francezët në protesta!

Për sot, sindikatat franceze kanë organizuar greva e protesta masive. Kjo për të kundërshtuar planin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron për të shtyrë moshën e daljes në pension.

Projektligji që pritet të diskutohet në Parlament, përcakton që mosha zyrtare për të mos punuar më të shtyhet nga 62 sa është aktualisht, në 64. Shërbimet e transportit pritet të çrregullohen. Shumë shkolla u mbyllën dhe nuk ofrohen shërbime publike. Në Aeroportin Orly në Paris, një në pesë fluturime u anulua.

Në metrotë e Parisit vetëm dy linja që funksionojnë pa drejtues janë duke punuar normalisht. Përveçse në kryeqytet, protesta ka edhe në qytete të tjera.

Sipas propozimeve të prezantuara më herët gjatë këtij muaji nga kryeministrja franceze, Elisabeth Borne, duke filluar nga viti 2027, njerëzit do të duhet të punojnë 43 vjet për të përfituar pension të plotë, në krahasim me 42 vjet sa është për momentin.

Sondazhet publike kanë treguar se 68 për qind e popullsisë e kundërshton këtë propozim.

Në anën tjetër, qeveria beson se sistemi francez është drejtuar për nga katastrofa, pasi raporti mes atyre që punojnë dhe personave në pension po zvogëlohet me shpejtësi.

Në krahasim me 50 vjet më parë kur kishte katër punëtorë për një pensionist, tashmë raporti ka rënë në 1.7 për një pensionist dhe pritet që shifrat të lëvizin edhe më shumë në vitet në vijim.

Gati të gjitha shtetet europiane po marrin masa për të rritur moshën zyrtare të daljes në pension. Italia dhe Gjermania e kanë rritur moshën e daljes në pension në 67-vjeç, Mbretëria e Bashkuar 66, ndërsa në Spanjë, 65-vjeç.