Bota

Planifikonin grusht shteti në Gjermani, 25 në pranga!

Në Gjermani, autoritetet goditën një grup që dyshohej se planifikonte rrëzimin e qeverisë. Pas kontrolleve në dhjetëra vende në 11 shtete federale, policia gjermane arrestoi 25 persona të dyshuar për komplot. Prokurorët federalë bënë të ditur se në këtë aksion morën pjesë rreth 3 mijë policë, të cilët kryen bastisje në 130 lokacione. Aksionin, ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann e përshkroi si “operacion anti-terrorizëm” dhe nënvizoi se dyshohet se ata kishin planifikuar një sulm të armatosur ndaj institucioneve të shtetit.

Raportime gjermane thonë se i përbërë nga figura të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarakë, grupi planifikonte të sulmonte ndërtesën e parlamentit, Reichstag e po ashtu të merrte pushtetin. Në krye të këtij grupi dyshohet se ishte një 71-vjeçar, të cilit i referoheshin si princi Heinrich XIII. Sipas autoriteteve gjermane, 22 nga 25 të arrestuarit janë shtetas gjerman, ndërsa tre të tjerë, përfshirë një shtetas rus, dyshohet se mbështesnin grupin.

Pjesë e këtij grupi thuhet se janë anëtarë të lëvizjes ekstremiste “Reichsbuerger” apo “Qytetarët e Rajhut”, të cilët prej kohësh mbahen nën vëzhgimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme e gjithashtu teori konspirative raciste. Po ashtu, ata njihen se refuzojnë të njohin shtetin modern gjerman.

Rreth 50 persona, mes tyre edhe gra, dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë bërë komplot për të përmbysur Republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së vitit 1871.