Aktualitet

Plas tritoli pranë rrethrrotullimit të Saukut, dëmtohen dy automjete!

Një sasi tritoli ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në rrugën dytësore që del për në rrethrrotullimin e Saukut. Ngjarja u regjistrua afër nënkalimit, rreth orës 19:45, ku si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar dy mjete që ndodheshin të parkuara.

Mësohet se sasia e lëndës shpërthyese e vendosur ka qenë rreth 30 gramë, e hedhur në shkurre poshtë mbikalimit.

Nuk dihen ende më tepër detaje për ngjarjen, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

“Më datë 20.12.2021, në Sauk, në rrugën “Selim Brahja”, rreth orës 19:45, në rrugën dytësore që del për në rrethrrotullimin e Saukut, afër nënkalimit, dyshohet se ka plasur një sasi e vogël lëndë plasëse dhe për  pasojë janë dëmtuar dy xhamat e parë të dy mjeteve që ndodheshin të parkuara”, njofton policia.