Politikë

Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese, sot mblidhet KED!

Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese është në fokus të mbledhjes së sotme të Këshillimit të Emërimeve në Drejtësi, KED. Në rend dite është diskutimi dhe votimi i listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve që do t’i kalojë Kuvendit e Presidencës.

Në mbledhjen e zhvilluar para disa ditësh sa i takon ngritjes dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, KED ka vendosur lejimin e kandidatit të Përparim Kalos për kandidimin për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Por nga ana tjetër ka vendosur ndalimin e kandidimit të Klajdi Mones për vakancën e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese.

Mones sipas KED i është ndaluar kandidimi pasi ka patur mangësi të kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji. Në mënyrë të përsëritur, ndërkombëtarët me në krye ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale brenda vitit.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë.