Aktualitet Travel

Plotësisht e transformuar rruga turistike drejt Syrit të Kaltër!

Syri i Kaltër në Sarandë, një prej destinacioneve turistike më të bukura në jug të vendit tpnë dhe që çdo vit tërheq me mijëra turistë vendas e të huaj, tashmë ka një infrastrukturë të re rrugore, sipas standardeve më të mira. Përmes rrjeteve sociale, kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga rruga e re, e rehabilituar plotësisht.

Mirëmëngjes dhe me infrastrukturën e re për këmbësorë e çiklistë që ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt Syrit të Kaltër, të cilit tashmë ia kemi zgjeruar zonën e mbrojtur, me statusin e Parkut Natyror prej 290 hektarë, ju uroj një fundjavë të mbarë!

Përveç korsisë së makinave, rruga e re përfshin korsi biçikletash e këmbësorësh, si dhe shtigje turistike. I konsideruar si parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë e turizmit veror, Syri i Kaltër gjendet pranë fshatit Muzinë, në afërsi të rrugës kombëtare Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Brenda zonës së mbrojtur gjithashtu përfshihen sipërfaqe ujore e pyjore, livadhe dhe toka të shumta bujqësore.

Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me  harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta e të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.

Ndërkohë, në muajin maj, qyteti bregdetar i Sarandës u vizitua nga një numër i lartë turistësh të huaj. Përmes portit hynë mbi 10 mijë e 600 persona e 40 automjete. Sa i përket qershorit, përsëri pritet rritje dhe një dyfishim i mbërritjeve të turistëve në Sarandë, po përmes portit. I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, Saranda është e rrethuar nga kodra e përballë saj ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë e kulturën e saj. E magjishme cilësohet kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.