Aktualitet

“Plumbi i artë”, dështon dëshmia e Dumanit, Henrik Hoxha jep versionin e tij për vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, u shoqërua në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në procesin ndaj Altin Ndocit, Klevis Allës, Besian Xhixhës dhe Enver Divës, të cilët akuzohen për vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, si dhe Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë. Seanca vijon me dyer të mbyllura.

Por i penduari i drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë” nuk dëshmoi. Seanca u ndërpre me kërkesë të avokatëve, të cilët kërkuan kohë për t’u konsultuar me deklarimet e dhëna në prokurori të dëshmitarit Henrik Hoxha, po ashtu i penduar i “Plumbit të artë”.

Hoxha dëshmoi më herët ditën e sotme mbi vrasjen e Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë. Ai deklaroi se me Dumanin ishte njohur në ditëlindjen e Festim Çolit, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt.

“Aty shkëmbyem numrat e telefonit, dhe kemi folur e takuar. Dumani premtoi 60 mijë euro, nga të cilat më ka dhënë 35 mijë, sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri”, ka dëshmuar Hoxha.

Në lidhje me momentin e krimit ai ka treguar ka qenë tek sedilja e pasme e pasagjerit të mjetit të atentatorëve, ndërsa Elio Bitri në timon. “Kam pasur 2 pistoleta 9 mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli. Objektivi sipas Dumanit ishte Dorian Shkoza, madje ky i ka dalë para Avdylajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar. Me Bitrin s’kam pasur komunikim, kur vajta te shtëpia e Nuredinit, e kam gjetur aty dhe jemi nisur drejt vendit të ngjarjes. Dumani s’ishte me ne por vinte rrotull. Kam qëlluar me të dyja armë, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjërin nga viktimat. Para ngjarjes madje, në shtëpinë e Dumanit, Elio qëlloi, na tha se ishte shkrepje e pavullnetshme. Elio kishte një javë që qëndronte në shtëpinë e Dumanit para atentatit. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar në për planin e vrasjes së Besmir Haxhias”, ka pohuar para gjykatës Hoxhaj.

Si ndodhën vrasjet në Durrës?
Xhixha dhe Diva akuzohen për “sigurim të kushteve për të kryer vrasje” dhe “mashtrim”. SPAK ra në gjurmët e tyre, pas dëshmisë së të penduarit Klevis Alla. Ai i tha prokurorëve se ata ishin porositur nga Talo Çela për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia. Për disa ditë me radhë, ata kishin vëzhguar lëvizjet e vëllezërve dhe planifikuar krimin. Por, pak ditë para se të kryenin vrasjen, ata janë tërhequr, pasi Enver Diva është infektuar me Covid-19 dhe për këtë shkak ishte karantinuar.

Sipas të penduarit, për këtë fakt Xhixha e Diva kishin debatuar ashpër me Nuredin Dumanin. Në këtë situatë, sipas deklarimeve të Kevis Allës, ekzekutimi i vëllezërve është kryer nga të akuzuarit e tjerë dhe se shenjestër ishte vetëm Besmir Haxhia.

Sipas SPAK, ngjarja e 27 prillit tek tregu i makinave në Durrës kishte si motiv një përplasje mes Talo Çelës dhe Besmir Haxhisë, për humbjen e disa parave të vjedhura në grabitjen e Rinasit.