Bota

Po binde të tjerët të marrin vaksinën anti-COVID, Zvicra të shpërblen!

Përballë pikëpyetjeve, hezitimit e refuzimit për t’u vaksinuar kundër koronavirusit, autoritetet në botë po përpiqen të gjejnë mënyra nga më të ndryshme, nga detyrimi e deri te joshja. Zvicra vjen me një propozim, që sigurisht synon të nxisë përhapjen e vaksinimit. Të gjithë zviceranët që bindin miqtë, kolegët ose të afërmit, të vaksinohen kundër COVID-19/ws, shpërblehen. Ministri i Shëndetësisë, Alain Berset:

Njerëzit që nxisin të tjerët të marrin vaksinën do të marrin kuponë me vlerë 50 franga! Kuponët mund të përdoren në restorante ose kinema. Skema do të funksiononte nëse njerëzit që marrin një vaksinë kalojnë emrin e personit që i bindi ta bëjnë këtë.

Sipas të dhënave zyrtare nga drejtues të Shëndetit Publik, vetëm 58.46% e banorëve të Zvicrës janë plotësisht të vaksinuar. Ndërkaq, qeveria planifikon të krijojë 50 qendra të tjera të lëvizshme të vaksinimit anti-COVID.

Mes shqetësimeve për një sërë variantesh tw koronavirusit, ku më i transmetueshmi rezulton Delta, kudo ka thirrje të përsëritura për t’u vaksinuar. Vendet e vaksinuara më shpejt këtë javë janë kryesisht në Amerikën Latine, Azi dhe Oqeani. Për të tretën javë radhazi, Kuba ka normën më të shpejtë ndërmjet shteteve me mbi një milion banorë, duke administruar doza në 2.16% të popullsisë së saj, çdo ditë. Kuba, me Korenë e Jugut dhe Tajvanin, plotësojnë treshen e parë.

Më shumë se 26 milion doza vaksinash kundër COVID-19 janë injektuar mesatarisht çdo 24 orë në botë, në 7 ditët e fundit. Edhe Amerika, vendi më i goditur në botë nga koronavirusi është organizuar në fushatën e vaksinimit me vaksina efektive si Pfizer, Moderna e Johnson&Johnson por sërish ka shifrat më të larta të infektimeve e të vdekjeve. Në SHBA, mbi 700 mijë pacientë nuk ia dolën të fitojnë betejën me COVID-19 e të mbijetojnë. Reagimi fillestar ndaj pandemisë u kritikua ashpër në Amerikë, por që nga ajo kohë janë marrë masa më të ashpra, në përpjekje për ta vënë nën kontroll.