Sport

Po dështon ende pa nisur? Dy klube angleze po mendojnë tërheqjen nga Superliga europiane!

Superliga europiane sapo është themeluar, por duket se vijimësia e saj është mjaft e dyshimtë. 12 klubet themeluese kanë firmosur për fillimin e kompeticionit që mund të nisë në Gusht, ndërsa UEFA i kërcënon me përjashtime nga çdo kompeticion i saj, madje me aprovimin e federatave përkatëse, i përjashton edhe nga kampionatet kombëtare, ndërsa lojtarët e klubeve pjesëmarrës në Superligë, rrezikojnë të mos luajnë as në Europian e as në botëror.

Sipas të përditshmes angleze “The Times”, dy prej gjashtë klubeve të Premier League po mendojnë seriozisht të tërhiqen nga projekti.

Klubet po zhvillojnë mbledhje të vazhdueshme për të vendosur hapat që do të merren më pas. Mësohet se drejtuesit e klubeve janë të shqetësuar nga reagimet e ashpra që pasuan njoftimin për krijimin e Super Ligës Evropiane.

Shqetësimi më i madh vjen pas kundërshtimeve të tifozëve që nuk e kanë pritur aspak mirë këtë vendim. Në këtë mënyrë, sipas “Times” ky projekt mund të dështojë ende pa nisur.

Ndërkaq asnjë skuadër nga kampionati gjerman i futbollit nuk ka preferuar të bëhet nismëtare apo t’i bashkohet kompeticionit më të ri, Super Ligës, ndërsa së fundi edhe Federata Gjermane e Futbollit ka sulmuar 12 klubet që i dhanë jetë këtij organizimi të ri.

Nëpërmjet një komunikate zyrtare, me tone shumë të ashpra, Federata Gjermane e Futbollit kërkoi që klubet nismëtare të Super Ligës të përjashtohen nga të gjithë ligat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Federata Franceze e Futbollit, që nëpërmjet kreut të saj Noel Le Graet theksoi se UEFA dhe FIFA janë të bashkuara në këtë qëndrim dhe se klubet “rebele” duhet të ndëshkohen për këtë nismë aspak të mirëmenduar.